Vizita Dendias pritet me protesta në Tiranë, tensione me policinë, Idrizi: Protestojmë axhendën greke

schedule12:20 - 20 Tetor, 2020

schedule 12:20 - 20 Tetor, 2020

Protestuesit e shoqatës “Cameria”, mbështetesit e PDIU dhe qytetarë të shumtë kanë vendosur së fundmi të shkojnë në një marrshim drejt kryeministrisë, aty ku Nikos Dendias pritet të zhvillojë takimin e radhës me kryeministrin shqiptar Edi Rama.

Sakaq protestuesit janë bllokuar gjatë rrugës drejt kryeministrisë nga policia, ku shihen momentet e përplasjes mes aktivistëve dhe efektivëve, ndërsa janë shoqëruar me dhunë disa prej tyre.

Në momentin e shoqërimit një prej pjesëmarrësve në këtë protestë ka humbur ndjenjat, duke bërë që të kërkohet ambulanca.

Kreu i PDIU Shpëtim Idrizi me tone të ashpra i ka bërë thirrje policisë të mos bëjë veprime të turpshme, e të shoqërojë shqiptarët.

“Në emër të 24 do ju ndjek hap pas hapi. Nëse janë trima mos të ndalojnë çamët e Çamërisë dhe të shkojnë në jug të kapin ata që djegin kufirin shqiptar. Ata janë këtu për të protestuar për axhendën greke, për ligjin  e luftës. Turp për policinë. Në emër të 24 shqiptarëve të Çamërisë do ti shkojë deri në fund, nëse jeni shërbëtorë të krimit hidhini ato kapele”, tha Idrizi.

Shpëtim Idrizi, i revoltuar ka kërkuar ndalimin e shtetasve grekë në kufi, ashtu sikundër ndodh me emigrantët shqiptarë të kthyer në doganë gjatë pandemisë.

“Shqipëria të ndalojë hyrjen e grekëve, ministri grek të deklarojë adresën dhe 30 euro. Nuk flasim më për Ligjin e Luftë, kemi hequr çështjen Çame nga axhenda e diskutimeve, i kemi dhënë fjalën Greqisë që do të bëjmë censusin me deklarim me vullnet të lirë, që të dalin prapë 300 mijë grekë. Kemi hequr konceptin e zonave minoritare, ku ka 20 minoritarë do kërkojnë tabela në gjuhën greke. Shqipëria deri më sot ka marrë vetëm vulën apostile. A u kujtua ky i gjati dy metra për 800 mijë shqiptarë në Greqi që të mësojnë shqip dhe të mos harrojnë gjuhën? Ky është turpi i radhës i shtetit shqiptar. Si është e mundur që Greqia dhe ministri i Jashtëm i Greqisë nuk heq dorë në kohë Covidi për të çuar përpara axhendën”. 

Mësohet se së fundmi nga protesta janë disa të shoqëruar në komisariatin e policisë.

Sipas kreut të PDIU janë shoqëruar 24 persona.

Më tej Idrizi gjatë protestës tha se synimi i saj ishte që ti thonin ministrit të jashtëm grek Nikos Dendias atë që qeveria shqiptare nuk ka mundur t’ja thotë.

“Ruajtët Dendias të mos na shihte ne, na kanë bllokuar, ky është turp i policisë. Mesa duket edhe policia zotërohet nga Greqia. Kjo që po ndodh është një turp Edi Rama. 12 miljet detare Greqia i ka në Prevezë. Shqipëria nuk ka për t’i dhënë Greqisë 12 milje të detit. Ne nuk harrojmë amanetin, ne ekzistojmë. Dandias zgjodhi kohën e pandemisë për të vizituar Tiranën. Nuk ia harrojmë grekut as varret as të plagosurit. Tragjedia mbi shqiptarët e Çamërisë në fund të luftës së dytë botërore është masakër”, tha mes të tjerash Idrizi.

Protesta po zhvillohet teksa ministri grek Nikos Dendias është duke zhvilluar takime ditën e sotme, me Tiranën zyrtare.

n.d./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!