Seanca gjyqësore në Apelin e Shkupit lidhur me dosjen “Kumanova”, ka nisur me tensione. Të dënuarit kanë kërkuar hetim ndërkombëtar dhe rrëzimin e dënimeve të dhëna nga Gjykata e Shkallës së parë.
“Nuk duam t’i dëgjojmë pallavrat tuaja, duam hetim ndërkombëtar. Ne nuk e njohim këtë shtet, kjo është Shqipëri, dhe Shqipëri do të jetë”.
Kështu ishte atmosfera sot në seancën e apelit, ku duhej të shqyrtohet vendimi i shkallës së parë për Grupin e Kumanovës. Ata kishin përzgjedhur Genc Sefajn, për të lexuar deklaratën e përbashkët, por gjykatësja nuk lejoi. As Grupi i Kumanovës nuk dëshironin ta dëgjojnë gjykatësen, e as gjykatësja grupin.
“Sot në këtë seancë gjyqësore ndjehem i privilegjuar të jem i zgjedhur nga bashkëluftëtarët dhe të flas në emrin e të gjithëve. Mos u merr me të, lexo atë që ke me lexua. Iu ftoj me një minutë heshtje ti nderojmë heronjtë tanë të cilët ranë për të mos vdekur kurrë në Lagjen e Trimave në Kumanovë. Ju lutem qohuni, e pastaj gjykata le të bëj punën e vet. Lavdi. Unë do të ta jap deklaratën në emër të grupit. Zonja gjykatëse, ne kemi katër vjet që durojmë këtu”.
Njëri prej të dënuarve madje edhe e shau gjykatësen dhe përkthyesen e cila deshi të përkthejë. Pas leximit të deklaratës, grupi vendosi që ta bojkotoj seancën dhe të largohet nga salla./ABC News Albania 24/7