Gjithsej 87 persona janë arrestuar në 12 orët e fundit në të gjithë Afrikën e Jugut përpara protestave antiqeveritare të planifikuara për sot nga partia e ekstremit të majtë Luftëtarët e Lirisë Ekonomike (EFF), thanë forcat e sigurisë së Afrikës së Jugut.
Afrika e Jugut po përgatitet për një ditë grevash dhe protestash të përgjithshme sot, me autoritetet që kanë frikë nga një përsëritje e trazirave vdekjeprurëse të vitit 2021 në vendin e goditur nga një krizë e rëndë ekonomike.
EFF, partia e tretë më e madhe në vend, u bëri thirrje afrikano-jugorëve të shtunën për një grevë të përgjithshme dhe për të protestuar, duke kërkuar dorëheqjen e presidentit Cyril Ramaphosa për keqmenaxhimin e ekonomisë, papunësinë masive që ka paralizuar vendin.
Baza e partisë janë afrikano-jugorët e varfër të klasës punëtore, të cilët janë ndjerë të përjashtuar nga prosperiteti i vendit që nga viti 1994, kur Kongresi Kombëtar Afrikan (ANC) në pushtet i dha fund sundimit të pakicës së bardhë të Afrikës së Jugut.
Nga 87, 41 u arrestuan në Gauteng, provinca që përfshin kryeqytetin Pretoria dhe qytetin e madh të Johanesburgut, 29 në provincën veriperëndimore dhe 15 në vende të tjera, tha agjencia kombëtare që koordinon operacionet e sigurisë dhe të inteligjencës NatJOINTS duke shtuar se arrestime u bënë edhe në provinca të tjera si Bumalanga dhe Kepi Lindor.
Parlamenti njoftoi ditën e djeshme se forcat e armatosura do të vendosin 3,474 trupa për një muaj deri më 17 prill për të parandaluar dhe luftuar krimin në bashkëpunim me policinë, ndërsa autoritetet e Afrikës së Jugut gjithashtu njoftuan ditën e djeshme se një prani e fortë policore do të jetë në gatishmëri për të parandaluar ” çdo formë anarkie apo dhune”.
/abcnews.al