Tenori i famshëm Placito Domingo akuzohet për ngacmim seksual

schedule15:32 - 13 Gusht, 2019

schedule 15:32 - 13 Gusht, 2019

Tenori i famshëm Placido Domingo është akuzuar për ngacmim seksual. Akuzat janë bërë nga një numër i konsiderueshëm femrash, në një denoncim në agjencinë e lajmeve “Asoshiejtid Pres”. Vetë artisti i ka hedhur poshtë akuzat e bëra në adresë të tij duke i cilësuar të pasakta.

Tenori i famshëm Plaçido Domingo është akuzuar nga gra të ndryshme për ngacmime seksuale. 8 këngëtare dhe një balerinë kanë deklaruar se ishin ngacmuar nga këngëtari spanjoll i operës, në një seri incidentesh të ndodhura në tre dekada, duke filluar nga fundi i viteve ‘80.

Sipas mediave ndërkombëtare, ngacmimet kanë ndodhur në vendtakime të ndryshme si për shembull në kompanitë e operave, ku muzikanti i njohur mbante poste kyçe.

Ndërkohë, 6 gra të tjera e akuzojnë Domingon, që është i martuar me sopranon Marta Ornelas që prej vitit 1962, se i ka bërë të ndihen të shqetësuara nga propozimet e tij për marrëdhënie seksuale.

Dhjetëra persona të tjerë në ambjentet e muzikës kanë deklaruar se kanë qenë dëshmitarë të sjelljeve të papërshtatshme të tenorit kundrejt grave të reja në moshë. Sipas “Asoshiejtid Pres”, sjelljet e tij ishin një sekret i njohur në botën e operas.

Domingo, aktualisht 78 vjeç, nuk i është përgjigjur kërkesës së agjencisë së lajmeve për një koment, por ka reaguar përmes një deklarate.

“Akuzat që vijnë nga këta individë të paidentifikuar e që datojnë rreth 30 vjet më parë janë shumë shqetësuese dhe njëkohësisht të pasakta”, thuhet në deklaratën e tenorit.

Artisti i famshëm shton se, njerëzit që kanë punuar me të e dinë se ai nuk është dikush që do të lëndonte, ofendonte apo turpëronte qëllimisht dikë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!