Tenderi abuziv me uniformat e policisë, çmimi u mbajt i njëjtë por mungojnë 239 mijë kapele uniforma e këpucë

schedule20:16 - 21 Korrik, 2021

schedule 20:16 - 21 Korrik, 2021

Detaje të reja janë zbuluar nga  skandali me tenderin abuziv për uniformat e policisë së shtetit.  Siç tregohet në dosjen e SPAK, zyrtarët e Ministrisë së Brendshme kanë ndryshuar sasinë e uniformave, që do të merrnin, por nuk kanë ndryshuar çmimin e tenderit prej 2.8 miliardë lekësh, duke shkelur hapur standardet e garës.

Në dosjen e siguruar nga gazetari i ABC, Ermal Vija theksohet se policisë i mungojnë 239 mijë njësi për artikuj. Konkretisht tenderi ishte rënë dakord për një sasi dorëzimi prej 726 mijë artikuj si kapelet, uniforma apo këpucë, por kjo nuk është zbatuar. Sipas rregullave tenderi duhet të ishte i ndarë në tre pjesë të ndryshme, duke filluar më uniformat, këpucët dhe shpërndarja. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në Ministrinë e Brendshme ka bërë bashkimin e të tre këtyre pjesëve në vetëm një të tillë, çfarë ka çuar deri në rritje të çmimit, ulje të sasisë së materialeve dhe reduktim të cilësisë.

Në dosjen e siguruar nga ABC theksohet se  sipas të dhënave në dokumentet e  vëna në dispozicion,  të hetuarit rritën shumën e çmimeve për njësi për objektin kryesor të prokurimit nga 488.141 lekë në 621.011 lekë pa TVSH. Kjo rritje është bërë në shkelje të dispozitave ligjore, të cilat qartësisht përcaktojnë se specifikimet i takojnë Autoritetit Kontraktor në këtë rast Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, e cila nuk ka ndryshuar çmimin  duke përcaktuar se ajo është shuma fillestare 488 141 leke me fond limit  2 765 028 820 lekë.

Sipas të dhënave në dokumentet pas këtyre ndryshimeve janë ruajtur 123 lloje artikujsh, por është ulur sasia e njësive, gjithsej  nga 72 6643 që ishte, sasia ka shkuar në 487 216 njësi, ose 23 9427 artikuj më pak, pa ndryshuar fondin limit, pra me të njëjtin fond rezulton se do blihen më pak artikuj duke shkaktuar qartësisht një dëm ekonomik.

Sipas SPAK, Edlira Naqellari dhe dy anëtarë të KVO, Fatmir Demneri dhe Mariglen Buzali, ndikuan në mënyrë të drejtpërdrejtë tek anëtarët e tjerë të KVO gjatë procesit të vlerësimit të ofertave nëpërmjet raportit teknik të vënë në dispozicion.

Po ashtu, Firma pjesëmarrëse në prokurim  BOE, “D^E” SHPK, “Summer Conf s.rl”, Lovers s.r.l dhe “Yakupoglu Tesktil Ve Deri San Tic”, u shpall fitues në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik. /abcnews.al/