Pavarësisht sezonit fantastik, që zhvilluan, ku fituan kupën e “Carabao Cup”, siguruan finalen e FA Cup, si dhe vendin e 3-të në Premier League, sërish tekniku i Manchester United, Erik ten Hag është shprehur se nuk është i kënaqur me sezonin e zhvilluar.
Në prag të finales së madhe të FA Cup ndaj Manchester City, e cila do të zhvillohet më 3 qershor, tekniku hollandez i “djajve” bëri një koment të shkurtër për mediat nga ku tha se pavarësisht ecurisë pozitive të klubit, të gjithë duhet të punojnë më fort, për të arritur në nivelin e duhur.
“Ne vazhdimisht kemi thënë se po ecim në drejtimin e duhur. Por a jemi të kënaqur me këtë sezon? Jo nuk jemi. Duhet të punojmë më mirë. Tani kemi një themel, kemi një bazë. Por ju duhet të shtoni. Këtë sezon na ka mbetur edhe një ndeshje dhe kjo është një mundësi e shkëlqyer për të bërë një hap përpara.
Sezonin e ardhshëm duhet të rrisim kërkesat ndaj vetes për të luajtur edhe më mirë. Konkurrenca është shumë e ashpër, do të shtohen edhe rivalët tanë. Të paktën duhet të mbajmë nivelin tonë, por nuk mendoj se do të mjaftojë.
Ne duam të ngjitemi dhe të luftojmë për top 2 në tabelë sezonin e ardhshëm. Në përgjithësi, ne duhet të kërkojmë më shumë nga vetja dhe të përmirësojmë nivelin tonë”,- u shpreh në fjalën e tij, “numri 1” i pankinës së Manchester United. /i.m /abcnews.al