Katër persona janë arrestuar në Elbasan në kuadër të operacionit policor të koduar “Tempulli”. Operacioni i policisë u zhvillua në dy lagje të qytetit.
Në lagjen “Skenderbej”, shërbimet e Forcës Operacionale konstatuan 4 persona, të cilëve gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në ambientin ku ata po qëndronin, iu gjetën doza të lëndëve narkotike heroinë dhe kokainë.
3 prej tyre u vunë në pranga, ndërsa për njërin nisi procedimi në gjendje të lirë.
Ndërkaq, në lagjen “Partizani”, gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në automjetin e një 36-vjeçari, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” gjetën doza të lëndëve narkotike kokainë dhe heroinë.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas, pasi e siguronin lëndën narkotike, e ndanin në doza, të cilat i shitnin në afërsi të shkollave dhe në ambiente të ndryshme të qytetit të Elbasanit.
Dozat e lëndëve narkotike heroinë dhe kokainë dhe 1 automjet që dyshohej se përdorej për këtë veprimtari kriminale u sekuestruan në cilësinë e provës materiale./abcnews.al