Temperaturat e ulëta, sfida për të siguruar ngrohjen në banesa

schedule15:25 - 30 Nëntor, 2018

schedule 15:25 - 30 Nëntor, 2018

Temperaturat dimërore shpesh kthehen në sfidë dhe kosto të madhe për shumë shqiptarë për të siguruar ngrohjen në banesa. Në Tiranë, mënyra më e përdorur për ngrohje është energjia elektrike.

Ndonëse ditë të ftohta,  shumë shqiptarë janë të kursyer për ngrohjen e banesave pasi ajo kushton shtrenjtë. Në Tiranë, energjia elektrike mbetet mundësia më e përhapur për ngrohje, edhe pse e kushtueshme. Familjet me më pak të ardhura apo pensionistët thonë se nuk mund t’ i lejojnë vetes ngrohjen elektrike gjatë gjithë ditës.

“Drutë kanë shkuar në stratosferë dhe nuk i merr dot më. Korenti po ashtu”, tregoi një qytetar.

“Me gaz duhet me u ngroh se me korent të fik derën”, u shpreh një qytetare.

“Ku ke leverdi me korent? Me gaz ngrohemi”, tha një qytetar tjetër.

Në pamundësi për të përballuar ngrohjen me anë të energjisë elektrike apo të gazit, zgjidhen edhe mënyra të tjera.

“Batanija është ekonomike”, u shpreh një qytetar.

“Shqiptarët dihet se ku janë. Dielli na ngroh ditën, natën na ngroh fryma”, tha një tjetër.

Me energji elektrike apo me gaz, kjo është mënyra e ngrohjes për shumicën e familjeve  në Tiranë, sidomos për ato që jetojnë në pallate apo në zonat qendrore të kryeqytetit. Të tjerë në zonat rurale, përdorin sobat me dru për ngrohje dhe gatim, ndonëse edhe çmimi i druve të zjarrit mbetet i konsiderueshëm për buxhetet familjare./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!