Temperaturat e larta kërcënojnë seriozisht kontinentin Evropian

schedule21:02 - 20 Korrik, 2023

schedule 21:02 - 20 Korrik, 2023

Temperaturat e larta po kërcënojnë shëndetin e të moshuarve dhe po i mbajnë ata brenda, ndërsa qeveritë përpiqen të marrin masa urgjente për t’i mbrojtur ata, raporton New York Times, duke përmendur vende si Italia, Franca dhe Belgjika.

75-vjeçarja Donata Grillo jeton në periferi të Romës, në një apartament të vogël pa kondicioner apo ventilator. Për të përballuar 41 gradë Celsius që përjetoi kryeqyteti italian këtë javë, ajo ulet në ballkonin e shtëpisë së saj me një sfungjer të lagur në prehër.

” Më duket sikur po kulloj makarona gjatë gjithë ditës,” thotë Grillo, e cila tani jeton me një stimulues kardiak dhe është një e mbijetuar nga kanceri.

“Valët e njëpasnjëshme të të nxehtit, të cilat kanë goditur Italinë dhe pjesën tjetër të Evropës Jugore, i kanë detyruar ata që kanë mundësi të kërkojnë strehim në shtëpi dhe zyra me ajër të kondicionuar ose vila buzë detit. Por për shumë të moshuar, vapa tani është bërë Covid-i i ri, me temperaturat që i çojnë shumë në izolim dhe shërbimet sociale marrin masa të jashtëzakonshme për t’i mbrojtur ata,” shkruan Gaia Pianigiani në New York Times.

Rreth 24% e italianëve janë mbi 65 vjeç dhe më shumë se 4 milionë prej tyre jetojnë vetëm. “Këto ditë janë edhe më të vetmuar”, komenton Antonelli i cili si punonjës social viziton rregullisht shumë të moshuar.

Italianët që janë mbi 80 vjeç sot janë rreth 4.5 milionë, pothuajse dyfishi i numrit të 20 viteve më parë.

Nga rreth 61,000 njerëz që vlerësohet të kenë vdekur verën e kaluar nga nxehtësia ekstreme në Evropë, rreth 30% ishin italianë dhe mosha luajti një rol të madh, shkruan Gaia Pianigiani në NY Times.

“Të moshuarit që vuajnë nga sëmundjet janë më të prekshëm. Por varfëria dhe izolimi luajnë gjithashtu një rol vendimtar,” vëren Andrea Ungar, president i Shoqatës Italiane të Gerontologjisë dhe Geriatrisë. “Përqindja e njerëzve në rrezik për shkak të temperaturave të larta po rritet vazhdimisht,” vëren epidemiologia Francesca de Donato, me një sy në plakjen e popullsisë së Italisë.

Por edhe në Francë, verën e kaluar 2022, kur valët e njëpasnjëshme të të nxehtit goditën vendin, humbën jetën më shumë se 2800 persona dhe rreth 80% e tyre ishin mbi 75 vjeç.

Situata ishte e ngjashme në Belgjikë ku vdekshmëria e tepërt (diferenca midis numrit të vdekjeve të vëzhguara nga të gjitha shkaqet gjatë një periudhe kushtesh të veçanta dhe numrit të vdekjeve të vlerësuara që do të pritej nëse nuk do të ekzistonin ato kushte të veçanta) gjatë muajve më të nxehtë verën e kaluar u rrit me 5.7%, shifra më e lartë në 20 vitet e fundit.

Në Bruksel, të moshuarit dhe ata që ndihen të izoluar ose të pambrojtur mund të regjistrohen me telefon në një shërbim të posaçëm, duke lejuar autoritetet komunale të kontrollojnë rregullisht gjendjen e tyre sapo temperaturat kalojnë 28.8 gradë Celsius, duke dërguar punonjës socialë për të shpërndarë ujin dhe për të kontrolluar kushtet e jetesës.

Në Francë, autoritetet kanë vendosur programe për të mbrojtur më të cenuarit, të cilat përfshijnë sistemet e paralajmërimit dhe udhëzimit të hershëm, kontrolle të rregullta telefonike dhe vizita personale gjatë valëve të të nxehtit.

Në Romë, një grup profesionistësh shëndetësorë marrin përsipër të kontaktojnë me telefon personat më të rrezikuar, kryesisht të moshuarit dhe invalidët, në ditët me temperatura shumë të larta.

Vështirësitë dhe izolimi i më të rrezikuarve i bën jehonë, në shumë mënyra, luftës kundër Covid-it, vëren gazetarja Gaia Pianigiani, duke argumentuar megjithatë se pandemia ka lënë pas edhe disa aspekte pozitive që lidhen me progresin që është bërë në frontet e telemjekësisë (dhënia e ndihmës mjekësore/klinike nga distanca me ndihmën e teknologjive të reja të telekomunikacionit në shtëpi) dhe të trajtimit të njerëzve të rinj.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!