Teli i fundit i “Çiftelisë”/ Amanetet e Tonin Vocajt, paralajmëron largimin nga uniforma

schedule18:10 - 14 Nëntor, 2024

schedule 18:10 - 14 Nëntor, 2024

Tonin Vocaj, një figurë e vjetër e Policisë së Shtetit, nga kjo e enjte nuk do të jetë më Drejtues i Policisë së Tiranës, post ky që e mbante që nga 16 dhjetori i vitit 2022. Ai do të zëvendësohet nga Elton Alushi, pas procesit të garës, me ligjin e ri të Policisë së Shtetit.

Tonin Vocaj, në ikje kishte përgatitur edhe një letër, në dukje lamtumire, për kolegët e tij në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

Kjo letër u shpërnda vetëm pak minuta pasi ministria e Brendshme, publikoi emrat e 12 drejtorëve të rinj në qarqe. Vocaj, ka renditur sipas tij arritjet që ka pasur në krye të policisë së Tiranës, duke thënë se reduktimi i krimeve në volum, si vjedhja apo vepra penale kundër personit, kanë qenë të dukshme. Madje si një nga arritjet Vocaj, rendit edhe uljen e kultivimit të kanabisit në Qarkun e Tiranës.

Letrën e tij Vocaj, e mbyll me falenderime për personat që I ka pasur në vartësi, ndërsa lë edhe porosi të kenë kujdes sigurinë dhe rendin.

Tonin Vocaj, i cili ndër vite ka mbajtur detyra të larta në policinë e shteti, në vitin 2013, u bë pjesë e debatit edhe politik, para zgjedhjeve të vitit 2013, ku në një foto shfaqej bashkë me Muhamet Rrumbullakun, Agron Kuliçin në një tavolinë me Arben Frroku i akuzuar dhe i dënuar për vrasjen e kryekomisarit, Dritan Lamajt.

Në procesin e hapur për garën për t’u bërë drejtor në qarqe, Tonin Vocaj ishte ndër të parët aplikantë, por pas përfundimit të këtij procesi ai u rendit i parafundit, në 15 prej kandidatëve që siguruan pikët e nevojshme për të vazhduar garën. Pas kësaj të enjteje, Tonin Vocaj është liruar nga posti i tij, dhe mbetet e paqartë nëse do të vazhdojë sërish angazhimin në strukturën e policisë apo mbylljen e karrierës me këtë letër lamtumire./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!