Telegraph: Ushtria britanike nuk do të rezistonte më shumë se dy muaj kundër forcave ruse

schedule11:58 - 27 Mars, 2024

schedule 11:58 - 27 Mars, 2024

Ushtria britanike nuk do të jetë në gjendje të luftojë kundër trupave ruse për më shumë se dy muaj, ka pranuar zëvendësshefi i Shtabit të Mbrojtjes së Britanisë së Madhe, gjeneral Sir Rob Magowan, sipas Telegraph.

Sipas tij, në luftërat e ardhshme të mundshme, forcat e armatosura britanike do të duhet të përballen me “rrezikun operacional” që lidhet me mungesën e burimeve të nevojshme.

Deklarata e mësipërme vjen pasi Sekretari britanik i Mbrojtjes, Grant Shapps u tha deputetëve se kishte lobuar për më shumë para për mbrojtjen por kishte dështuar.

Shapps foli për nevojën e menjëhershme për të rritur fondet në 2.5% të buxhetit, siç ka premtuar Sunak të bëjë në të ardhmen.

Kjo perspektivë nuk mjafton për forcat e armatosura britanike.

“Ne e kemi bërë shumë të qartë se shuma e parave që shpenzojmë aktualisht për municione që është e rëndësishme nuk përputhet, në përgjithësi, me kërcënimet me të cilat përballemi,” tha Zëvendës Shefi i Shtabit të Britanisë.

“Është gjithashtu e qartë se ne duhet të shpenzojmë më shumë para, përtej programit që kemi, për atë që ne e quajmë mbrojtje gjithëpërfshirëse raketore”, tha ai.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!