“Telefonatat ishin të shumta, por u injoruan,” policia e Seulit pranon përgjegjësinë për tragjedinë me 156 viktima

schedule09:50 - 1 Nëntor, 2022

schedule 09:50 - 1 Nëntor, 2022

Shefi i policisë së Koresë së Jugut ka pranuar se përgjigja e tyre ndaj situatës emergjente në Itaewon nuk ishte e duhura. Kjo është hera e parë që zyrtarët në vend e pranojnë se nuk bënë mjaftueshëm për ta parandaluar situatën.

Mes thirrjeve në rritje për përgjegjësi, Yoon Hee-keun tha se ndjente “përgjegjësi të pakufishme për sigurinë publike” për atë që ndodhi. Ai po ashtu u zotua për një hetim të plotë.

Ministri i Brendshëm Lee Sang-min kërkoi gjithashtu falje për incidentin që mori 156 jetë njerëzish ndërsa të lënduar mbetën 152 të tjerë.

Kujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi të shtunën mbrëma ndërsa turmat u mblodhën në një rrugicë në Itaewon, një lagje popullore për jetën e natës në Seul, për të festuar Halloween pa kufizime për herë të parë që nga Covid. Yoon tha se policia kishte marrë telefonata të shumta përpara se të ndodhte aksidenti, duke i njoftuar për seriozitetin e situatës, por përgjigja e tyre mungoi.

Policia e Seulit i ka thënë BBC-së se thirrja e parë në numrin e urgjencës së Koresë së Jugut erdhi në orën 18:34 me orën lokale, disa orë para fillimit të përplasjes vdekjeprurëse,  dhe pati 10 thirrje të tjera gjatë tre orëve e gjysmë të ardhshme. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!