Tekniku i Moldavisë “karikon” atmosferën: Duam ta shohim stadium plot, ndaj Shqipërisë do të japim gjithçka

schedule15:27 - 15 Nëntor, 2023

schedule 15:27 - 15 Nëntor, 2023

Vetëm 2 ditë na ndajnë, nga “finalja” e parë për “legjionarët” e Kombëtares sonë, teksa pasditen e së premtes do të përballen, në “Zimbru Stadium” të Çisinaut, me vendasit e Moldavisë, në një përballje që pritet të jetë e zjarrtë, sidomos për moldavët, të cilët e konsdierojnë përballjen ndaj Shqipërisë si një “finale” të vërtetë.

Kjo pasi në lojë është kualifikimi për në fazën e grupeve të Euro 2024, me Kombëtaren e Moldavisë, që këtë herë është më pranë se kurrë kualifikimit, teksa renditet në vendin e 4-t, në grupin E, me 9 pikë, 1 pikë larg Polonisë së vendit të 3-të dhe 2 pikë larg Çekisë, së vendit të 2-të, me këto 2 kombëtare që do të përballen me njëra-tjetrën, mbrëmjen e 17 nëntorit.

Për këtë aryse, në “Zimbru” na pret një atmosferë e zjarrtë, me stadiumin prej 10,500 tifozësh që pritet të jetë plot e përplot, në mbështetje të Kombëtares së tyre dhe thirrje për të qenë sa më të zjarrtë e ka bërë edhe tekniku, Serghei Clescenco.

“Ne realisht duam ta shohim stadiumin plot. Ende e mbaj mend ndeshjen e vitit 1998 kundër Gjermanisë. Tifozët qëndronin në këmbë, pasi stolat ishin mbushur plot. Ata brohoritnin pa pushim. Ne humbëm 1-3, por në 20 minutat e para kryesuam 1-0.

Lojtarëve u them që pavarësisht rezultatit, ne nuk mund t’i zhgënjejmë tifozët tanë në aspektin e lojës. Jemi të motivuar për të dhënë gjithçka në fushë kundër Shqipërisë. Duam t’i bëjmë këto momente historike të paharrueshme për të gjithë Moldavinë”,- u shpreh tekniku i moldavëve. /i.m /abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!