Tekniku i Flotës Ajrore të Ushtrisë/ Historia e Riza Vatës, pasioni mes shërbimit ushtarak dhe poezisë

schedule20:18 - 5 Tetor, 2024

schedule 20:18 - 5 Tetor, 2024

KUKËS- Gatishmëria e një avioni luftarak për t’u ngritur në ajër dhe për të përmbushur detyrat luftarake mbante firmën e Riza Vatës, njërit prej teknikëve më të aftë që ka shërbyer dikur në flotën ajrore të ushtrisë.

Për Rizain, i cili tani është në pension dhe po i afrohet të tetëdhjetave, kjo ishte një përgjegjësi e madhe. Ai ka kaluar 30 vite si ushtarak, duke u angazhuar me përkushtim në detyrat e tij.

30 vite si ushtarak nuk kanë qenë të lehta, por të shoqëruara me sfida dhe veshtirësi, gjithnjë me sytë nga qielli duke ndjerë emocionin e çdo ngritjeje në ajër të flotës së ushtrisë.

Ndonëse ka qenë dora dhe mendja e flotës ajrore, Rizai tregon arsyet përse tekniku nuk lejohet të marrë pjesë në fluturim. I moshuari tregon edhe arsyet përse zgjodhi këtë zanat.

Megjithatë, pasioni i tij nuk kufizohej vetëm në aviacion. Ai është gjithashtu një shkrimtar i talentuar, i apasionuar pas prozës dhe poezisë. Çdo ngjarje e rëndësishme, çdo përjetim që i linte gjurmë në shpirt, ai përpiqej ta hidhte në letër.

Në Kukës, Rizai njihet jo vetëm si teknik, por edhe si poeti popullor. Vargjet e tij janë një pasqyrë e ndjenjave të thella dhe realitetit të jetës së zakonshme.

Nuk ngurron të ndaje me shikuesit krijimin e tij të fundit. E pikërisht krijimi i tij i fundit lidhet me mikun e tij Sali Kingji, ndarë nga jeta pak ditë më parë.

Çdo ditë, Riza del në parkun e qytetit, aty ku takohet me bashkëmoshatarët e tij. Takimet janë mbushur me biseda për të kaluarën, kujtime nga shërbimi ushtarak dhe pasionet e përbashkëta.

Pavarësisht se si kalon koha, Riza gjithmonë mban me vete një dosje të mbushur me shkrimet e tij. Në këtë dosje, ndodhen poezi, tregime dhe reflektime personale, që përfaqësojnë një pjesë të madhe të jetës së tij dhe botës që ai dëshiron të ndajë me të tjerët.

Dosjet me shkrimet e Riza Vatës janë një dëshmi e përkushtimit dhe pasionit për artin e shkrimit, një trashëgimi që do t’i kalojë brezave të ardhshëm./ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!