Tedi Cara: Derbi momenti më i lumtur, u “çmenda” pas futbollit prej Kaka

schedule12:59 - 23 Shkurt, 2021

schedule 12:59 - 23 Shkurt, 2021

Tedi Cara, sulmuesi i Partizanit, ka dhënë një intervistë për fshf.org, në rubrikën “Talenti shqiptar”. Dëshira e madhe e tij është kombëtarja, sikurse edhe transferimi në një kampionat më të fortë. Dëshira këto të pothuajse të të gjithë futbollistëve të rinj me perspektivë, ndërkohë që i riu tregon si nisi të luajë futboll, rrëfen momentin më të mirë në karrierë deri tani, flet për ecurinë e Partizanit dhe idhullin e tij.

SI NISI – “Si fëmijët e tjerë, edhe unë kisha shumë dëshirë të luaja futboll. Në fillim luanim me shokët në lagje çdo pasdite kur ktheheshim nga shkolla. Më pas, filluam të shkonim shpesh në kalçeto. Mua më pëlqente shumë të luaja dhe prindërit e mi e panë që unë kisha talent dhe luaja me dëshirë e pasion të madh. Ata vendosën të më lejonin që të filloja stërvitjen me ekipin e Besës, ku shkoja çdo ditë. U jam vërtetë falënderues atyre, sepse besuan tek aftësitë e mia dhe më lejuan që unë të ndiqja pasionin tim.

ECURIA TE PARTIZANI – “Deri tani jam shumë i kënaqur. Me Partizanin jemi në rrugën e duhur, kjo edhe falë punës së të gjithëve dhe harmonisë që kemi në grup. Kemi një objektiv, që është titulli kampion dhe besoj që me këtë grup të mirë që kemi, deri në fund të sezonit do ta arrijmë këtë objektiv”.

KOMBËTARET E MOSHAVE – “U lumturova kur ftesën për herë të parë. Gjithmonë e kam pasur ëndërr që një ditë të isha pjesë e Kombëtares. Tani dëshira ime e madhe është të debutoj me Kombëtaren e madhe, pasi normalisht është ndjesi tjetër. Në debutim e nisa mirë, duke fituar një ndeshje miqësore”.

 

MOMENTI MË I MIRË – “E kam ende të freskët momentin më të lumtur në jetën time, që ka të bëjë me derbin kundër Tiranës, ndeshje që e fituam me rezultatin 1-0. Kam pasur shumë dëshirë të luaj një derbi dhe përveç kënaqësisë që mora që u aktivizova në lojë, arritëm edhe të fitonim”.

IDHULLI – “Kur kam qenë i vogël, kam pasur idhull brazilianin Ricardo Kaka dhe prej tij kam nisur ta ndjek futbollin si i çmendur. Edhe tani që jam te klubi i Partizanit, kam marrë numrin që ai ka pasur tek ekipi i Milanit, numrin 22”, është shprehur Tedi Cara. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!