Teatri Kombëtar i Kosovës do të sjellë 4 shfaqje në skenën e Arturbinës. I ftuar në “ABC e Mëngjesit”, drejtori i Teatrit Kombëtar, Altin Basha, u shpreh: “Në datë 8 është shfaqja e parë “Gratë” dhe deri në datën 9, 10, 11 janë shfaqjet e tjera “Fausti”. Pra, fillon nesër “Gratë” në orën 19:00”.
Ndërsa në një lidhje me Skype, Kushtrim Sheremeti, drejtori i Teatrit Kombetar të Kosovës, tha: “Realisht shkëmbimet e shfaqjeve kanë ndodhur edhe në të kaluarën, nuk është se po nisim diçka. Ideja është ta vazhdojmë me ritëm tjetër këtë bashkëpunim, edhe realisht ky ka filluar me Festivalin e Teatrit shqiptar Moisiu, vitin e kaluar kur u mbajt në Shkup. Ideja e shkëmbimeve në këtë masë më të madhe, në këtë masë nuk ka ndodhur më herët. Sikurse po transferohemi me të gjithë trupën tonë në Tiranë”.
Më tej, ai u ndal edhe te shfaqja “Gratë”, e cila do të jepet nesër në ArtTurbina.
“’Gratë’ është një koncept që ne e kemi ndërtuar dhe i gjithë ekipi ka qenë i përbërë prej grave. Regjisorja është me origjinë polake që jeton në Londër, e cila momentalisht është duke punuar edhe në Teatrin Kombëtar të Tiranës. Është një koncept, një shfaqje feministe, brutale për burrat, por që është e bazuar në disa eksperienca të disa grave pionere në Kosovë, por duke u miksuar edhe më përditshmërinë tonë, me atë që gratë sot kalojnë me një brutalitet të madh të patriarkalizmit, i cili ekziston gjithandej ku flitet shqip fatkeqësisht, edhe trajton këtë temë dhe është pritur shumë mirë prej publikut të Prishtinës, zakonisht jo vetëm kjo, por të gjitha shfaqjet që ne kemi sjell janë ‘sold out’. Janë të stërshitura dhe është një dimension tjetër të komunikimit me publikun përmes 6 monologjeve dhe pastaj të 6 grave aktore, të cilat komunikojnë dhe japin tregimet e tyre, duke përfshirë edhe copëzat e vetvetes”, u shpreh Sheremeti./abcnews.al