Teatri kombëtar, Aleanca: Bashkia ka shpallur kompaninë që do ndërtojë godinën e re, nuk bën transparencë

schedule16:36 - 30 Dhjetor, 2019

schedule 16:36 - 30 Dhjetor, 2019

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit i kërkon Bashkisë së Tiranës të bëjë transparencë me procedurat e tenderit për ndërtimin e Teatrit të ri. Artistë, juristë e përfaqësues të shoqërisë civile dyshojnë se bashkia ka shpallur në mënyrë të fshehtë kompaninë fituese që do ndërtojë godinën e re të Teatrit Kombëtar.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar dyshon se Bashkia e Tiranës ka shpallur kompaninë që do të ndërtojë teatrin e ri, por nuk bën transparencë për çështjen.

Artistë, juristë e aktivistë të shoqërisë civile shkuan për të kërkuar informacion personalisht, por pasi dolën nga bashkia treguan se kjo iu mohua.

Tashmë ata shprehen se do ti drejtohen gjykatës.

“Nuk na priti asnjë person në bashkinë e Tiranës dhe na thanë se nuk mund të takojmë asnjë. Koordinatorja për të drejtën e informimit nuk na takon dhe na thotë se ka një adresë e-maili dhe mund ta kontaktojmë online. Nga ana tjetër Kabineti e mori në shqyrtim kërkesën dhe nuk dihet se kur do të na thuhet diçka, duhet të vijmë ditë të tjera më vonë. Kërkesa jonë është e ligjshme jemi duke pritur përgjigje prej dy muajsh. Këta nuk duan të takohen fare me ne”, tha juristi Dorian Matlija.

 “Sigurisht që mund të shkojmë në gjykatë por kjo nuk na e zgjidh çështjen shpejt, do mundohemi të shohim dhe zgjidhje të tjera sepse këtu nuk kemi thjesht të bëjmë me një shkelje administrative apo një harresë apo një neglizhencë”, tha ai.

“Kryetari i Bashkisë në mbledhjen e parafundit me këshillin Bashkiak ka thënë që ka rekrutuar një zyrë avokatie për lidhjen e kontratës për ndërtimin e teatrit të ri, nëse nuk është shpallur fituesi, çfarë kontrate do të lidhet? Këtu është marrë vendimi për teatrin dhe nuk është bërë publike“, tha pedagogu Ervin Goci.

Artistët i janë përgjigjur deklaratave të kryebashkiakut Erion Veliaj dhe kanë deklaruar se çështjes së Teatrit Kombëtar do ti shkojnë deri në fund.

“Zotëria kryetari i bashkisë duhet të bëj transparente tenderin sepse sot erdhëm si çetë por e sigurojë që herë të tjera do vijnë regjimente”, tha aktori Neritan Licaj.

“Çetë partizane, balliste, zogiste, çfarë çete jemi ne? Jemi të armatosur apo jo, lufta partizane me çeta filloi. Unë ndihem mirë që jam pjesë e kësaj çete”, deklaroi aktori Mehdi Malkaj.

 “Kam një gjë që bërtet në shpirtin tim, Transparenca. Nuk e di pse mbahet kur një ditë do plasë. Në këto festa duhet të jemi më kompakt, më transparentë dhe të tregojnë se kush i ka fituar ato tenderë, nuk ka nevojë të klithim, ne duam tetarin”, tha mjeshtria Justina Aliaj.

Pas Bashkisë së Tiranës Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar kërkesën për informacion ja drejtoi dhe Komisionierit për të Drejtën e Informimit. Europa Nostra më herët ka përfshirë Teatrin Kombëtar në listën e 14 veprave të trashëgimisë kulturore  më të rrezikuara gjatë vitit 2020./abcnews.al