KOSOVË- Drejtor Ekzekutiv i Qendrës për të Drejtën Humanitare, Bekim Blakaj thotë se familjarët e të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë janë të zhgënjyer me institucionet pasi nuk kanë bëra sa duhet.
Gjatë intervistës në “Ballkan Update” në ABC News me gazetaren Linda Karadaku, Blakaj shprehet se sot rezultojnë mbi 1600 persona të zhdukur. Ai thotë se nëse palët tregojnë vullnet ky numër do të ulet ndjeshëm.
“Përvoja nga vende tjera nga gjithandej botës ku ka patur persona të zhdukur, një pjesë e tyre nuk janë gjetur dhe nuk është zbardhur fati i tyre. Në Kosovë ka pasur rezultat në lokacione dhe zbulimin e varreve masive. Sot në listën janë 1617 të vdekurve dhe nëse mund të kishte vullnet nga të dyja palët, ky numër mund të ulet”, tha ai.
Ai thotë se familjarët e të zhdukurve shpeshherë shprehen se janë mashtruar për fatin e të afërmve të tyre.
“Gjatë gjithë këtyre viteve janë zhgënjyer. Gati një çerek shekulli më vonë, ata e ndiejnë të njëjtën dhembje dhe se e ndiejnë veten të mashtruar, ne kemi pritur rezultate të shpejta dhe të prekshme, por deri tani nuk ka ndodhur. BE do të monitorojë zbatimin e marrëveshjes dhe nëse palët nuk do t’i zbatojnë, mund të ketë sanksione konkrete dhe është një mekanizëm kontrollues dhe besoj se do japë rezultate dhe besoj se do kemi zbardhjen e fatit të personave të zhdukur”, tha ai.
Më tej, Blakaj tha se nga lista e personave të zhdukur, mbi 1100 janë shqiptarë, ndërsa të tjerët janë serbë dhe të komuniteteve të tjera.
“Na rezulton se mbi 400 janë të komunitetit serb, ndërsa tjerët janë shqiptarë. Janë mbi 1100 shqiptarë, të cilët janë të raportuar si të zhdukur”, tha ai/ n.m.abcnews.al