“Të zgjatet Vettingu”, Balla: Edhe PD do bindet për ndryshimet Kushtetues

schedule11:42 - 23 Shtator, 2021

schedule 11:42 - 23 Shtator, 2021

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka thënë se socialistët do të kërkojnë ndryshime Kushtetuese lidhur me procesin e vettingut dhe shpreson sipas tij që të sigurojë edhe votat e nevojshme nga opozita për të kaluar këto ndryshime.

Kujtojmë se në qershor të vitit të ardhshëm mbaron afati i mandati të trupave gjykuese të Vettingut, ndërsa sipas Ballës do duhen edhe të paktën dy vite që të kryhet procesi i plotë i vettingut për gjyqtarët dhe prokurorët. Për të miratuar këto ndryshime Kushtetuese mazhorancës i duhen 94 vota në Kuvend. Sipas Ballës nuk do të ketë ndryshime në ligj por vetëm kushtetuese që zgjasin afatin e vettingut.

Nga ana tjetër edhe Partia Demokratike ka kërkuar ndryshime Kushtetuese. Kujtojmë se Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u shpreh në mbledhjen e Këshillit Kombëtar , se ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 nuk ishin të përshtatshme për nevojat e shoqërisë për demokraci. Ende nuk dihet nëse PS dhe opozita do të gjejnë dot rrugën e bashkëpunimit.

“Ka qene vendim i partnerëve të Shqipërisë. Ka pasur një vlerësim nga Venecia për ruajtjen e barazisë në një proces për magjistratët në procesin e vlerësimit. Është rekomanduar që siç janë vetuar rreth 400 e ca magjistratë të bëhet edhe pjesa tjetër. Në vlerësimin tim do duhen jo më shumë se dy vite por do bëhet nga ekspertët. Me kryetarët e Komisioneve kemi diskutuar se ndryshimet në Kushtetutë janë ndryshime me kohë rreth dy muaj deri në miratim. Të marrim kohën e nevojshme për të bërë draftin. Ekspertët ligjor rekomandojnë se janë vetëm kushtetuese pa prekur ligjet.” tha Balla.

“Votimi i ndryshimeve Kushtetuese. Jo vetëm ne që kemi qenë mbështetësit kryesor të Reformës në Drejtësi. Shqiptarët e mbështetën me votë reformën. Dhe rastet do tregojnë se ne kemi bërë mirë që kemi marrë këtë vendim. Edhe PD do të bindet se Reforma në Drejtësi duhet të shkojë para. Vota e PD duhet të burojë nga nevoja e ndryshimit të kursit ndaj Reformës në Drejtësi. Dora jonë do vijojë të jetë e shtrirë.” tha më tej kreu i grupit Parlamentar të PS-së. /abcnews.al/