“Të vrasësh për ‘qejf’”/ Metamorfoza e krimit dhe antikrimit në ‘Gjërat Tona’

schedule20:37 - 10 Shtator, 2023

schedule 20:37 - 10 Shtator, 2023

Nga Etleva Delia

Ata janë një skuadër e kompletuar. Ka nga të gjithë dhe përfshihen në gjithçka.

Ka biznesmenë, ka prokurorë, policë, nga ata me grada të larta dhe kriminelë të të gjitha niveleve.

Ata flasin lirshëm, pa e vrarë mendjen se një ditë do të zbulohen. Madje as që e mendojnë. Besojnë se mesazhet që shkëmbejnë përmes aplikacionit “SKY”, janë të pa zbërthyeshme. Por në fakt jo. Ndodhi që u zbuluan. Përgjigja që autoritetet franceze i kthyen SPAK-ut, nxori në skenë gjithçka.

SPAK në bashkëpunim intensiv me Eurojust, Europol dhe agjencitë ligjzbatuese belge, holandeze dhe franceze, ka zhvilluar hetime lidhur me 15 të dyshuarit mes tyre një prokuror, një biznesmen dhe zyrtarë të lartë policie që çuan në zbardhjen e disa ngjarjeve kriminale të ndodhura në vend në harkun e 3 viteve nga 2019 deri në 2022. Hetimi nisi për 12 vepra penale nga ajo e vrasjes dhe korrupsionit deri tek pastrimi i produkteve të veprës penale dhe falsifikimi.

Vrasja e Gjin Boriçit, e ndodhur në Shkodër në vitin 2020, rezultoi të kishte të tjerë autorë, ndryshe nga çfarë ishte thënë më parë. Boriçi i njohur edhe më mbiemrin Ndoj kërkohej i vdekur me çdo kusht nga i shumëkërkuari Ervis Martinaj. Nga ana tjetër, një konflikt i hapur ishte mes biznesmenit Pëllumb Gjoka dhe ish-specialist në shërbimin e kontrollit të brendshëm në burgje Kleant Musabelliun. Për këtë arsye biznesmeni kontaktoi Behar Bajrin duke i kërkuar ta eliminonte. Në komunikimet në rrjetin “Encro Chat”, Bajri dhe Martinaj kanë shkëmbyer objektivët e tyre ku Bajri eliminoi Boriçin për interes të Martinajt dhe ky i fundit do të vriste Kleant Musabelliun, për llogari të Pëllumb Gjokës, vrasje e cila nuk u realizua.

Në botën e vrasësve me pagesë, Behar Bajri shfaqet profesionist duke mos kursyer as të vetët kur merr pagesën për një vrasje, madje të nesërmen i shkon në varrim viktimës. SPAK ka identifikuar autorët e dyshuar të vrasjes së mbetur në tentativë Taulant Pepajt në Shkodër në muajin shkurt 2021 si dhe identifikimin e autorëve të dyshuar në lidhje me sigurimin e kushteve për vrasjen Ibrahim Licit, Genc Tafilit dhe Dorian Dulit.

Nga 15 persona, për të cilët Gjykata e Posaçme nxori urdhër-arreste, policia vuri në pranga vetëm 6 prej tyre dhe 2 të tjerë u arrestuan në flagrancë.

Dosja “Metamorfoza” peshon shumë. Jo për nga volumi që ka e fashikujve të tjerë që do i shtohen rrugës, por për emrat e personazheve që tashmë po hetohen nga SPAK. Flet për ngjarje të rënda të kryera në vitin 2020 e të tjera që ishin planifikuar të kryheshin por dështuan.

Në një vrasje e 4 të tjera që ishin planifikuar të kryheshin, janë përfshirë të paktën 15 persona. Por vetëm 6 prej tyre u arrit të arrestohen: Biznesmeni Pëllumb Gjoka, i cili dyshohet për vrasje me paramendim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, ish-shefi i Forcës së Posaçme Operacionale Oltion Bistri, i cili dyshohet për shpërdorim detyre dhe zbulim të akteve sekrete; kryeprokurori i Kukësit Xhevahir Lita, i dyshuar për korrupsion pasiv të gjyqtarëve dhe prokurorëve; ish-shefi i Krimit të Organizuar në Shkodër, Ardrit Hasanbegaj, i dyshuar për sigurim të kushteve për të kryer vrasje; Astmer Bilali, krahu i djathtë i grupit kriminal “Bajri”; Edmond Preka, shoferi i biznesmenit Pëllumb Gjoka.

E ashtu si në të tjera dosje të rëndësishme të hetuara nga SPAK, edhe këtu nuk mungon emri i mbretit të lojërave të fatit, Ervis Martinaj. Ndonëse prej më shumë se një viti tashmë ai është “i zhdukur”, por edhe në kërkim për vrasje, SPAK e ka shpallur në kërkim sërish. E po ashtu në kërkim u shpall edhe Behar Bajri, që duket se është thelbi i hetimeve, i përfshirë pothuajse në gjithçka. Bajri u arrestua më 4 shtator në Paris, pas një bashkëpunimi mes Policisë shqiptare dhe asaj Franceze.

E gjithë historia duket se sillet rreth tij. Që nga këmbëngulja e biznesmenit Pëllumb Gjoka për ta nxjerrë nga burgu përmes prokurorit Xhevahir Lita që në atë kohë ishte në Prokurorinë e Shkodrës e deri te aktivizimi i tij pas lirisë për të realizuar vrasjet.

Në mars të vitit 2023, agjencitë ligjzbatuese europiane i përcollën Byrosë Kombëtare të Hetimit një informacion për disa shtetas shqiptarë, përdorues të disa kodeve PIN në aplikacionin “SKY”. Ata dyshoheshin si të përfshirë në aktivitete kriminale në fushën e krimeve kundër jetës, trafikim të lëndëve narkotike të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal, etj. Bashkë me funksionarë publikë ata janë koordinuar me njëri-tjetrin përmes komunikimeve të enkriptuara në aplikacionin “SKY”. Agjencitë europiane përcillnin informacionin se përdoruesit e këtyre PIN-eve ishin disa shtetas shqiptarë që kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin në raste të ndryshme, me qëllim sigurimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike të llojit kanabis e kokainë nga Shqipëria drejt vendeve të tjera të Bashkimit Europian, si dhe nga Amerika e Jugut drejt porteve kryesore Europiane.

Dy muaj përpara operacionit “Oaz” të vitit 2018, kur Policia shqiptare arriti të prangoste Safet Bajrin, që në Belgjikë e njihnin me emrin Safet Rustemi, në një prej gazetave belge u publikua një portret i njeriut më të rrezikshëm jo vetëm në Shkodër.

Gazetari që përgatitur shkrimin, përveç një përshkrimi me detaje për 4 vëllezërit Bajri, ironizonte gjykatat dhe drejtësinë belge. “Daltonët e Dobraçit” quheshin atje 4 vëllezërit Bajri, që në fakt në Belgjikë njiheshin më shumë me mbiemrin Rustemi. “Në vendin e tyre janë të lidhur me 40 vrasje, të dënuar në vendin tonë për tentativë vrasje, shfrytëzim prostitucioni, zhvatje dhe trafik kokaine. Dy nga vëllezërit janë këtu në qeli. Por më i kërkuari, Safet Bajri, arriti të largohet nga vendi ynë pasi pagoi një garanci. Kjo frustroi ndjeshëm gjykatën në Bruksel. Ai mendon se është i paprekshëm. Kjo është e vërtetë”, shkruante gazeta Belge në korrik të vitit 2018.

Pesë vjet më vonë rezultoi se gazetari belg kishte pasur të drejtë. Ata vërtetë ishin të paprekshëm. Jo vetëm që fituan lirinë, por për edhe kryen krime, derisa aplikacioni që të paktën njëri prej tyre, Behar Bajri e konsideronte të papërgjueshëm, e zbuloi. Megjithatë ai prapë nuk u arrestua.

Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, më 29 tetor të vitit 2008 ekstradoi nga Belgjika në drejtim të Shqipërisë të shumëkërkuarin Behar Bajri, në atë kohë 28 vjeç, person me precendentë të theksuar kriminalë.

Policia e Shtetit njoftonte në atë kohë se arrestimi i tij ishte bërë i mundur më 17 dhjetor të vitit 2007 mbas një ndjekje sistematike të strukturave të Policisë së Shtetit, si dhe bashkëpunimit e shkëmbimit të vazhdueshëm të informacionit ndërmjet Zyrës Qendrore Kombëtare Interpol Tirana me Interpolin dhe Policinë Belge.

Ministri i Drejtësisë së Belgjikës firmosi ekstradimin e tij me 18 tetor të vitit 2008. Policia theksonte se Behar Bajri ishte i njohur si kontigjent kriminal për shkak të kryerjes së disa krimeve të rënda në qytetin e Shkodrës. Arrestimi i shtetasit Behar Bajri ishte bërë në lokalitetin Gent të Belgjikës. Ky shtetas në atë kohë përdorte gjeneralitete false me emrin Mitko Kamenov, i datëlindjes 25 maj 1978.

Policia rendiste në atë kohë edhe precedentët e Behar Bajrit:

Me datë 14 janar 1999 në lagjen Dobraç të qytetit të Shkodrës shtetasit Behar Bajri, Ilir Bajri dhe Frederik Totaj në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohen se kanë kryer veprën penale të vjedhjes me armë ndaj dy shtetasve nga Berati, të cilët kanë qenë duke udhëtuar me një automjet tip Kamion me targë të Vlorës.

Me datë 14 janar 1999 në lagjen “Vojo Kushi”, janë vrarë me armë zjarri vëllezërit Osman e Artur Alibali. Autorë të dyshuar të kësaj ngjarje kanë rezultuar të jenë shtetasit Behar Bajri, Ilir Bajri dhe Frederik Totaj. Kjo vrasje është kryer menjëherë mbas vjedhjes me armë të kryer ndaj dy shtetasve nga Berati.

Me datë 21 mars 1999 Behar Bajri në bashkëpunim me shtetasin Ilir Bajri kanë tentuar të kryejnë vjedhje me armë ndaj shtetasit Arben Tuzi dhe vëllait të tij. Nga shkëmbimi i zjarrit të dy palët kanë plagosur njëri-tjetrin.

Me datë 28 janar të vitit 2000, në fshatin Dobraç ka vrarë me armë zjarri shtetasin Petrit Demiri, punonjës i Policisë Rrugore në Komisariatin e Policisë Shkodër. Për këtë vepër penale Gjykata e Shkodrës e ka dënuar vetëm me dy vjet burgim.

Me datë 15 shkurt 2001 në lagjen “Vasil Shanto” të qytetit të Shkodrës është vrarë me armë zjarri shtetasi Arben Tuzi, 39 vjeç nga Shkodra. Autorët e dyshuar të kësaj ngjarje kanë rezultuar të jenë shtetasit Behar Bajri dhe Ilir Bajri.

Me datë 26 qershor 2002 në banesën e shtetasit Behar Bajri është gjetur e vrarë bashkëshortja e tij Fabiola Bajri, 16 vjeçe. Nga veprimet hetimore të kryera rezultoi se në këtë rast ishte vrasje dhe jo vetëvrasje siç deklaruan familjarët. Autor i dyshuar i kësaj vrasje ishte shtetasi Behar Bajri.

Me datë 18 gusht 2006 shtetasi Behar Bajri është akuzuar për përdhunimin e dy vajzave të mitura, krim të cilin e ka kryer në bashkëpunim me një tjetër shtetas. Për këtë ngjarje Gjykata e Shkodrës kishte caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” nën akuzën e “heqjes së paligjshme të lirisë në bashkëpunim”, marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitura të moshës 14-18 vjeç”.

Gjykata e Apelit për Krime të Rënda Tiranë, me vendim të datës 27 shkurt 2007 e ka dënuar me 9 vjet heqje lirie dhe 2 milion lekë gjobë për kryerjen e veprës penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”. Ngjarja për të cilën shtetasi Behar Bajri është deklaruar fajtor ka ndodhur me datën 12 shtator të vitit 2005, në qytetin e Shkodrës, ku ky shtetas përmes gjobëvënies, ka kërkuar që të përfitojë pa të drejtë shumën prej 5 milionë lekësh të reja nga një banor i qytetit të Shkodrës. Këtë vepër penale shtetasi Behar Bajri e ka kryer në bashkëpunim me kushëririn e tij Sead Rustemi.

Në dosjen “Metamorfoza”, Behar Bajri akuzohet për vrasjen e Gjin Boriçit në Shkodër në gusht të vitit 2020; vrasjen e mbetur në tentativë të Taulant Pepaj, në Shkodër në shkurt 2021; sigurimin e kushteve për vrasjen e Kleant Musabelliut në Tiranë, në shtator 2020; sigurimin e kushteve për vrasjen e Dorjan Dhuli, Ibrahim Licit dhe Genc Tafilit, në vitin 2020.

38-vjeçari Gjin Boriçi që u vra mbrëmjen e 9 gushtit të vitit 2020 në Shkodër njihej edhe si Gjin Ndoj apo Gjin Frroku. Në atë kohë Policia ngriti dy pista hetimi. E para lidhej me gjakmarrjen, pasi xhaxhai i viktimës, 15 vite më parë kishte vrarë një djalë 16 vjeç, ndërsa pista e dytë lidhje me aktivitetet e mëparshëm të Gjin Boriçit.

Policia pati dyshime në atë kohë se vrasja e Gjin Boriçit kishte lidhje me përplasjet e grupeve kriminale në Shkodër. Ai kishte miqësi me një nga anëtarët e familjes Bajri, konkretisht me Behar Bajrin, i cili kishte vetëm pak kohë që kishte lënë paraburgimin pasi u pushuan akuzat ndaj tij.

Por ishte pikërisht ky mik i tij, Behar Bajri, që organizoi të gjithë vrasjen. Vrasje që në fakt e kërkonte me ngulm Ervis Martinaj. Në dosje nuk jepen motivet e kësaj ngjarje. Nuk saktësohet se përse Ervis Martinaj e donte të vdekur Gjin Boriçin, por shpjegohet se në këmbim të vrasjes së tij do të realizonte ai një tjetër vrasje për llogari të grupit. Në këto rrethana Behar Bajri organizoi vrasjen e mikut të tij. Në dosje shpjegohet gjithçka.

VRASJA E GJIN BORIÇIT

Më datë 9 gusht 2020, rreth orëve të para të mëngjesit, në kryqëzimin e rrugës së fshatit Shkieze me rrugën nacionale Shkodër-Lezhë, është vrarë me armë zjarri 37-vjeçari Giin Boriçi, i njohur edhe me mbiemrin Ndoj.

Boriçi, është gjetur i vrarë disa metra larg makinës “BMW” që kishte marrë me qira. Në vendngjarje policia gjyqësore ka gjetur e sekuestruar 6 gëzhoja model 56. Rreth orës 9 e 30, në zonën e Bushatit të Shkodrës, grupi hetimor ka gjetur të djegur plotësisht një makinë “Mercedez Benz”, targat e të cilës rezultonin të vjedhura në Durrës, më datë 20 qershor të atij viti. Afro 2 metra larg makinës së djegur, janë gjetur e sekuestruar 8 gëzhoja model 56.

Lidhur me këtë ngjarje Prokuroria e Shkodrës ka regjistruar procedimin penal Nr.965. Hetimet e kryera nga Prokuroria nuk kanë bërë të mundur identifikimin e autorëve të vrasjes së Gjin Boriçit. Për interesa të dokumentimit të këtij fakti, jane këqyrur dhe analizuar komunikimet në “Sky” të dërguara nga autoritetet franceze të drejtësisë.

Nga përmbajtja e komunikimeve mes bashkëbiseduesve, janë identifikuar të dyshuarit që i drejtohen njëri-tjetrit me pseudonime të ndryshme si: “Kapedani”, “Daci” ose “Lopata” që i referohen Behar Bajrit; me shprehjen “Kolombo” Pëllumb Gjokës; me shprehjen “Deno” ose “Denis” Denis Bajri; me shprehjen “Mondi” Edmond Prekës; me shprehjen “Dori” Klaodor Hakë; me shprehjen”V” ose “Martini” i referohen Ervis Martinajt.

Referuar bisedave të realizuara nga përdoruesit e “Sky” midis datave 7 dhe 10 gusht 2020, para dhe pas vrasjes së Gjin Boriçit, konkretisht bisedave të zhvilluara mes shtetasve Behar Bajri, Denis Bajri, Edmond Preka, Ervis Martinaj dhe Pëllumb Gjoka del në pah organizimi i tyre me qëllim realizimin e vrasjes së shtetasit Gjin Boriçi. Evidentohen personat që janë angazhuar për t’i ndjekur të gjitha lëvizjet, vendi ku do të kryhet ekzekutimi, rruga e përshkuar përpara ekzekutimit, rruga që do të përshkohet nga ekzekutorët mbas realizimit të vrasjes, personat që do të realizojnë largimin e ekzekutorëve nga vendi ku do të digjej automjeti i përdorur në ngjarje dhe strehimi i tyre.

Nga hetimet rezulton se më datë 7 gusht 2020, në orë 12:23 Behar Bajri komunikon me Pëllumb Gjokën, i cili e pyet se kur mendon se kryhet puna, që nënkupton realizimin e vrasjes. Ndërsa Behari i përgjigjet që do të realizohet nësër në mbrëmje, ndërsa puna e tij, që nënkupton vrasjen e Kleant Musabelliut, do të kryhet brënda një jave.

Bisedat natën e vrasjes

Denis Bajri i shkruan Behar Bajrit: Gjoks e kry kapedan, mu blloku se desha me ja gri kryt, se me tha diçka…

Denisi i shkruan Ervis Martinajt: A dha gjë tv?

Denisi i shkruan Behar Bajrit në lidhje me telefonat e viktimës: Po vlla “Sky”. Jo s’ia gjetëm. Atë tjetrin ia thyme edhe e tretëm. Fshihen vlla. E fshiva krejt prej këtu. Jo, se mendum se e ka në çantë, e paska pasë në xhep. Nuk e hap kush. Makina u djeg, teshat i djegëm.

Denisi i shkruan Ervis Martinajt: Cilat targa? S’e di për fjalë vlla, janë djeg krejt. O vlla asht djeg makina, se s’me tha kush gja… S’i kena pa hiç. Të fala të bën “kapedani”. Jo, jo, kismet nesër, po ja fusim gjumë, rrimë nesër.

Në orën 02:24 Behar Bajri i shkruan Pëllumb Gjokës dhe ai i thotë që kishte qenë në gjumë. Ndërsa Behari i shkruan: U kry. Tani presim atë tëndin. Ate që deshti ai u kry. Gjnin deshti ai…

Pëllumbi shprehet: Ok vëlla, kjoftë me zotin. Futja gjumit…

Bisedat pas vrasjes

Pas vrasjes së Gjin Boriçit, biznesmeni Pëllumb Gjoka komunikon me oficerin e Policisë Ardit Hasanbegaj. Në përgjimet e dosjes hetimore rezulton gjithashtu se biznesmeni ka qenë i pranishëm në ceremoninë mortore të Gjin Boriçit.

Pëllumb Gjoka: Çfarë ishte ajo e mbrëmshmja?

Ardit Hasanbegaj: Nuk e di, paska qenë me hasmëri, për punën e një vëllait, plus paska qenë kollarexhi.

Pellumb Gjoka: Si duket si dorë?

Ardrit Hasanbegaj: Ka punuar mirë k… dhe si duket kanë qenë dy ose më shumë. Të vështirë do e kemi por besoj do t’i nxjerrim diçka.

Pellumb Gjoka: Lëreni në kollaren e vet.

Më 11 shtator të vitit 2017, në orën 20:55, oficeri i Burgjeve, Kleant Musabelliu ka qëlluar 5 herë në drejtim të biznesmenit Pëllumb Gjoka, por vetëm një plumb e ka goditur atë në këmbë. Ngjarja ka ndodhur te “Pazari i Ri”, në Tiranë, në sy djemve të autorit e të plagosurit, të cilët ishin edhe qëllimi i takimit mes tyre, për sqarimin e një sherri që kishin pasur më parë. Në lidhje me ngjarjen, dëshmitarët e pyetur nga Policia kanë deklaruar se jashtë ambienteve të lokalit ku ndodhi ngjarja, kishin dëgjuar 5 të shtëna arme zjarri. Por nga verifikimet e kryera nga ekspertët, është konstatuar se 4 plumba kishin goditur tokën, ndërsa biznesmeni është qëlluar nga një plumb në këmbë. Autori e ka qëlluar atë me armën e shërbimit dhe menjëherë është vetëdorëzuar.

Në dosjen “Metamorfoza”, sqarohet se pikërisht për këtë ngjarje, Pëllumb Gjoka kishte vendosur të hakmerrej duke ofruar para në këmbim të vrasjes se Musabelliut. Edhe pse u arrestua për plagosje të lehtë e kanosje, Kleant Musabelliu u lirua, pasi biznesmeni Gjoka, më 20 dhjetor të vitit 2017 hoqi dorë nga e drejta e ankimit. Por pas lirimit të Musabelliut, Pëllumb Gjoka vendos ë hakmerret.

Mesazhet e shkëmbyera në “SKY”, kanë zbuluar edhe një atentat që nuk u arrit të realizohej ndaj ish-efektivit të SHKB-së së Burgjeve, Kleant Musabelliu. Në dosjen e SPAK theksohet se Pëllumb Gjoka ka pasur rolin e porositësit për vrasjen e tij me qëllim hakmarrjen, duke i lënë në dorë organizimin e vrasjes Behar Bajrit. Në këmbim të vrasjes së Kleant Musabelliut, Gjoka do të paguante nga 100 mijë deri në 120 mijë euro.

ORGANIZIMI PËR VRASJEN E KLEANT MUSABELLIUT

Për të realizuar qëllimin e tij kriminal Pëllumb Gjoka kërkon ndihmën e Behar Bajrit, i cili ishte lidhje shoqërore shume e ngushte e tij. Pasi Bajri lirohet nga burgu në fund të Qershorit 2020, vihet direkt në kontakt me Pëllumb Gjokën, i cili nga ana e tij i kërkon fillimisht Beharit që të gjejë vrasës me pagesë për vrasjen e Musabelliut. Behari është vetëofruar që vrasjen ta bënte ai por Gjoka nuk ka pranuar. Më pas Behar Bajri, Ervis Martinaj dhe Pëllumb Gjoka bien dakord që shtetasi Behar Bajri me bashkëpunëtorët e tij të vriste Gjin Boriçin për interes të Martinajt dhe ky i fundit do të kontraktonte disa persona, të cilët do të realizonin vrasjen e Kleanti Musabelliut.

Behar Bajri kishte si detyrë gjetjen e vrasësve me pagesë. Fillimisht janë organizuar gjashtë persona kryesisht nga Kosova dhe nga Serbia për vrasjen e Musabelliut. Por duke se gjërat më pas kanë ndryshuar. Në dosje sqarohet se është aplikuar metoda “me ndërrim” me shtetasin Ervis Martinaj. Pra Behar Bajri do të vriste Gjin Boriçin për llogari të Martinajt, ndërsa ky i fundit do të vriste Kleant Musabelliun, menjëherë pas vrasjes së Boriçi. Për Musabelliun SPAK jep shpjegime të detajuara.

Bisedat

Më 21 qershor 2020 Pëllumb Gjoka komunikon me Klodor Hakën. Haka i dërgon një foto të një vendi në Tiranë dhe i tregon që kishte parë atë djalin në këmbë me një tjetër. E kishte fotografuar, por nuk i ishte afruar pasi ishte shumë vigjilent.

Më pas Klodor Haka i shkruan sërish Pëllumb Gjokës, duke i dërguar 10 foto të Musabelliut: “Këto janë pamjet e tij reale, si duken tani, krejt pastër. Fola për makinën me atë shokun, e takova nga afër. … Nëse don po flas për një makinë të vjedhme që ta ketë burri huaj gati, mos të hyj me kërku edhe me u zvarrit.

Pëllumb Gjoka: “Vëlla, nëse edhe një jave nuk më vjen dikush që jam duke prit, a ma gjen një për me mbaru një punë në Tiranë.

Behari: Po mo vlla, ça të dush, ça të kesh ti personale ta kryej unë vetë.

Pëllumbi: Jo vëlla, duhet me lekë, ndonjë që nuk e ke afër.

Behari: A po thua për atë, për punën tënde?

Pëllumbi: Po.

Behari: Atë ta kryej unë vetë, nuk ke nevojë me i thëne kërkujt, vetëm leji një njeri në shpinë, se ku rrin. Du me ta kry, për qef.

Pëllumbi: Jo vëlla, nuk bëhet fjalë, duhet ndonjë që është larg.

Behari: Po kam edhe larg, nga Kosova, po kur të takohena po flasim.

Pëllumbi: Puna është se don shofer ai i Kosovës, por flasim kur të takohemi.

Behari: I kam unë me shofer dhe me tana. Nuk janë nga veriu. Deri sa t’ju them se janë dy veta? Sa lekë ju ofron se janë dy veta?

Pëllumbi: Pyeti sa duan vëlla?

Behari: Me ta kry unë për qef, dhe nuk ke detyrim hiç.

Pëllumbi: Jo vëlla nuk është punë për ty, vetëm lekët atyne dhe mos ti kesh afer hiç. Ishalla po me vjen ai se e kam zvarrit vetë.

Behari: Nuk i kam afër, vetëm duhet informacion se ku është.

Pëllumbi: Ashtu duhen të largët dhe informacionin e ka 10.

Dosja “Metamorfoza” zyrtarizon dy grupet rivale që dominojnë Shkodrën prej shumë vitesh. Dy grupe që janë përplasur herë pas here duke shkaktuar dhjetëra të vrarë e të plagosur.

Zyrtarizon atë që thuhej gjithmonë nën zë, fuqinë dhe rrezikshmërinë. Duket se grupi më i fortë e më i rrezikshëm është ai “Bajri”, kjo edhe për shkak të aleancës që kishte lidhur me Ervis Martinajn, biznesmenin Pëllumb Gjoka por edhe për lidhjet e forta që kishte në Polici e Prokurori.

Ky grup kishte në listë për të vrarë anëtarët e grupi rival “Lici”, por edhe personat që shoqëroheshin me ta. Synohej me doemos vrasja e Ibrahim Licit por edhe Dorian Dolit, personazh që vetë anëtarët e grupit “Bajri” e përshkruajnë si tepër të rrezikshëm. Vetë aëtarët e grupi Bajri e përshkruanin Dulin si një njëri që mbrohej mirë por edhe si një person që mund të qëllonte me saktësi deri në 300 metër. Në mesazhet që shkëmbejnë personazhet e dosjes “Metamorfoza” Dorian Duli komentohet si lidhje e fortë e Gëzim Çeles, një personazh i shpallur në kërkim vite më parë, pasi kishte kthyer në laborator kokaine vilën e tij në Fushë-Kuqe.

Ata komentojnë edhe për personazhe të tjerë, siç është Bardhok Pllanaj, i vrarë në prill të vitit 2021, apo Lulzim Kulla që i shpëtoi me plagë të rënda një atentati në vitin 2018, i cili konsiderohej si armik i rrezikshëm nga Pëllumb Gjoka dhe Behar Bajri. Lulzim Kulla është kuanti i Fatbardh Licit, i ekzekutuar në gusht të vitit 2018. Në listë për t’u eleminuar rezulton të ketë qenë edhe Genc Tafili, i akuzuar për vrasjen e kolonelit Arben Zylyftari.

Plani për ekzekutimin e Ibrahim Licit, Dorian Dulit e Genc Tafilit

IBRAHIM LICI

Në dosjen “Metamorfoza”, përveç emrave të të akuzuarve, bien në sy në veçanti edhe tre emra personazhesh, të cilët autorët kërkonin me çdo kusht që t’i vrisnin. Bëhet fjalë për Ibrahim Licin, Dorian Dulin dhe Genc Tafilin.

Lici, i quajtur “fantazma”, për shkak se askush nuk binte në gjurmët e tij, prej kohësh vijon të jetë në arrati dhe duke iu shmangur drejtësisë që e akuzon për vrasje. Vitin e kaluar pati të dhëna për arrestimin e tij në Turqi, informacion që nuk u konfirmua asnjëherë. Masa “arrest me burg” e dhënë në mungesë ndaj tij, vijon të jetë e pa ekzekutuar, ndonëse Ibrahim Lici kishte lënë gjurmë që mund të ishin ndjekur nga policia.

Ibrahim Lici, vijon të qëndrojë i lirë në territorin e shtetit turk, ndërkohë që drejtësia e këtij shteti, kërkoi ndihmë juridike nga pala shqiptare për t’i vënë në dispozicion aktet hetimore të dosjes penale që flet për vrasjen e Endri Mustafës, për të cilën Lici është i akuzuar. Ndaj tij është vendosur masa “arrest me burg” në mungesë për veprën penale “Vrasje me paramendim” kryer në bashkëpunim, konkretisht për vrasjen e Endri Mustafës, ngjarje e ndodhur më 15 maj 2021 në zonën e “Livadhes” në Shkodër. Për këtë ngjarje është dënuar me 12 vite burgim një 15-vjeçar, që e nxori në pritë viktimën natën e krimin.

Lici u akuzua fillimisht edhe për vrasjen e vëllezërve Astrit e Ibrahim Bilali në mars të vitit 2019, të cilët janë përkatësisht babai e xhaxhai i Astmer Bilalit, një nga të arrestuarit e grupit “Metamorfoza”. Megjithatë përfshirja e Licit në këtë vrasje nuk u arrit të provohej.

Kapja e Ibrahim Licit, ishte kthyer në domosdoshmëri për për grupin, pasi jo vetëm që i trembeshin, por vrasjen e tij e kërkonte me çdo kusht shoku i fëmijërisë së tij, Astmer Bilali.

Në një bisedë që ndodhet në dosjen “Metamorfoza” të SPAK-ut, rezulton se Astmer Bilali i thotë Behar Bajrit që: “Ibrahim Lici, duhet me u heq se s’bën…”

Ndërsa Bajri i thotë që: “Ose hiq Dor Dulin, ose rri vetëm atëherë”.

Grupi bën çmos që të zbulojë vendndodhjen e Ibrahim Licit, duke gjetur numra e duke ia çuar Policisë që t’i vendosnin në përgjim për llogari të Pëllumb Gjokës. Në një rast Astmer Bilali ka arritur të sigurojë një numër telefonik, i cili dyshohet që përdorej nga Ibrahim Lici dhe ja ka dhënë Behar Bajrit. Ai më pas ia ka dhënë Pëllumb Gjokës me qëllim që t’ia japë shefit të Policisë Ardrit Hasanbegaj.

Ardrit Hasanbegaj në periudhën që ka marrë numrin telefonik nga Pëllumb Gjoka ka qenë me leje, konkretisht në plazh, dhe i është shprehur Pëllumbit që: “Sapo të kthehem nga leja do e çoj për ta vënë në përgjim dhe do të jetë ai pikë kontakti me zyrën e përgjimit me qëllim sigurimin e të dhënave në lidhje me vendndodhjet e Ibrahim Lici”.

Por vrasja e Ibrahim Licit ishte planifikuar të kryhej tek varrimi i Indrit Rrajës. Ibrahimi, Dorian Duli dhe Genc Tafili, ishin zbuluar se ndodheshin në varrim. Madje Behar Bajri dinte dhe rrobat e trupit të tyre. Por një fakt që solli dështimin e planit për të bërë goditjen ishte makina me të cilin udhëtonin, pasi vetëm atë nuk e kishin saktësuar.

DORIAN DULI

Dorian Duli nga ana tjetër është një personazh për të cilin nuk ka të dhëna zyrtare apo akuza për vrasje, ndonëse në dosje përmendet si një qitës ekselent dhe person mjaft i rrezikshëm.

Ai rezulton të jetë arrestuar në vitin 2014 nga Policia shqiptare për llogari të Belgjikës, ku akuzohej për grabitje. Ndërsa në Shqipëri kishte qenë i dyshuar për vrasje të mbetur në tentativë, lëndë narkotike, vjedhje dhe armëmbajtje pa leje. Dorian Duli banues në Shkodër është arrestuar në flagrancë duke ekzekutuar vendimin penal të datës 12 dhjetor 2014, të Gjykatës për Krimet e Rënda Tiranë, për lejimin e ekzekutimit të letër-porosisë të ardhur nga autoritetet e drejtësisë Belge.

Në momentin kur policia ka rrethuar shtëpinë e tij, Duli ka tentuar të largohet nga ana e prapme e banesës. Ai është kapur në flagrancë, me tri pistoleta. Ndërsa në shtëpi iu gjetën edhe pajisje shërbimi si ato të Policisë, jelek policie, pranga, shkop gome, një tabelë me mbishkrimin Ministria e Rendit Publik-Policia Rrugore, etj. Në 2014-ën ai u arrestua si anëtar i një grupi kriminal që vepronte në Belgjikë, por pas disa vitesh u la i lirë.

Në dosje zbulohet plani për të vrarë Dorian Dulin, të cilin Behar Bajri ishte gati të paguante shifra të mëdha. Për këtë ishte kontraktuar edhe Nuredin Dumani që në këmbim kërkonte informacion për Talo Çelën. Vrasja do të kryhej në këmbim të informacionit për Talo Çelën, armikun e përbetuar të tij. Biseda bëhet mes Bardhyl Mavrajt dhe Nuredin Dumanit bëhet me 14 shkurt 2021:

Bardhyl Mavraj: Qofsh me jetë vëlla, ishalla vetëm mirë dëgjoj për ty por është kjo që nëse bahena me ba punë dhe me nimu njëri-tjetrin s’do zhgënjehesh as ti. Për sa i perket atij Talos të them unë personalisht s’kam asnjë info dhe s’e njoh fare se s’me ka pasë interesu, por me pyt miq e shokë mase dhe na del diku por konkrete është puna e këtij Dorit që folëm…..

Në vijim Nuredin Dumani mundohet ti japë siguri Bardhyl Mavraj që mund ta ekzekutoj Dorian Dulin duke dërguar mesazhet…. ..

Nuredin Dumani: Dorin…do ta maroj…sa do që t’me thuash…un s’te vë çmim ti shife vetë…

Në përgjigje të kësaj, Bardhyl Mavraj i shpjegon edhe arsyen përse kërkon të vrasë Dorian Dulin, si dhe i përcakton limitet e parave që ofron për vrasjen e tij.

Bardhyl Mavraj: Vëlla Dori s’na ka ba as dëm as gjë se me dashtë dhe të vllanë e kemi me ja kry por s’është se na ka ba dam kund, thjeshtë është t’u na nejt me do hasëm tonët dhe për kët dona me e hek. Ta them me pastërti lë që s’ja vlen por nuk hedhim mbi 200 për Dorin…

Një person që ka lidhje me Dorian Dulin është në dijeni të qëllimeve të Nuredin Dumanit dhe është gati të zbatojë planin e tij për ta ekzekutuar me shpërthim me eksploziv. “Dua t’i fus eksploziv në makinë, nja 3 kg dhe nji motor me dy veta të shkojnë me u siguru mrapa…”, shkruan Dumani.

Dështimi i vrasjes së Dorian Dulit, erdhi si pasojë e nuhatjes së këtij të fundit për planin e vrasjes. Madje nga informacionet operative, Dorian Duli ka kuptuar se njeriu që mblidhte informacion dhe ia jepte Bajrave ishte pikërisht Ardrit Hasabegaj, shefi i sektorit të hetimit në Policinë e Shkodrës. Dorian Duli mësohet të jetë paraqitur në Policinë e Shkodrës, duke kërkuar takim kokë më kokë me Hasanbegaj. Duli ka paralajmëruar Hasanbegaj, që nëse kishte bërë lojëra për ta vrarë, të parit kapelja do i fluturonte atij.

Në fakt në dosje rezulton që Hasanbegaj ka dhënë informacione për lëvizjet e Dorian Dulit, në një rast edhe jashtë Shqipërisë, kur ka udhëtuar drejt Maqedonisë së Veriut, duke kaluar nga Qafë Thana. Madje edhe për spitalin ku ndiqen bashkëshortja e tij shtatzënë dhe datën se kur do të kryente lindjen.

GENC TAFILI

Një tjetër person që grupi “Bajri” e donte të vrarë, ishte edhe Genc Tafili. Deri në vitin 2017 ai kishte qenë në burg, i dënuar për vrasjen e kolonelit Arben Zylyftari, por ishte liruar me një vendim të ish-gjyqtares së Krujës Enkeleida Hoxha. Genc Tafili ndodhej në burg prej 2 gushtit të vitit 2000, pasi u vu në pranga menjëherë pas ekzekutimit të ish-drejtorit të policisë së Shkodrës.

Historia e konflikteve ndërmjet familjes Tafili dhe ish-shefit të krimeve në Shkodër Prelë Pjetrushi nisi pikërisht atë ditë, kur policia e Shkodrës organizoi një operacion për arrestimin e Bahri Tafilit. Ky i fundit, peshkatar në zonë, ishte një ndër personat më të kërkuar në atë kohë për vrasjen e Skënder Gecit. Gjatë operacionit të organizuar nga policia e Shkodrës pati shkëmbim zjarri mes palëve. Për pasojë, mbeti i vrarë drejtori i Policisë Arben Zylyftari, si dhe vetë i kërkuari Bahri Tafili. Po atë ditë kur u vra Arben Zyluftari, policia arrestoi Genc Tafilin, duke e akuzuar atë për vrasje në bashkëpunim. Djali tjetër i kësaj familjeje, Admir Tafili, dyshohej për autorësinë e vrasjes së dyfishtë dhe u largua nga Shqipëria.

Pas ngjarjes që futi në konflikt dy familjet, në vitin 2001, ndaj shefit të krimeve të Malësisë së Madhe, Prelë Pjetrushi, kryhet një atentat ku një breshëri plumbash u derdhën mbi të në momentin që ai po futej në banesë. Por, pavarësisht plagëve që mori në trup, shefi i krimeve arriti t’i mbijetojë kësaj ngjarjeje. Duke u ndjerë i kërcënuar, ai u detyrua të largohet jashtë Shqipërisë, për në SHBA, për arsye sigurie. Në lidhje me këtë ngjarje, në vitin 2002 policia arrestoi, pas shumë operacionesh policore, vëllain e vogël të familjes Tafili, Admir Tafilin.

Bisedat për vrasjet

Në dosjen e SPAK, nga bisedat e përftuara nga aplikacioni “SKY”, Behar Bajri i tregon Pëllumb Gjokës se do ta vrasë Ibrahim Licin dhe Dorian Dulin dhe po kërkon njerëz për ta kryer. Në një moment i sugjeron Prek Kodrën.

Pëllumbi: Ti duhet ta ndash mendjen për Dorin sepse ai shkon në Shëngjin.

Behari: E kam të ndame dhe du me e ‘hek’ por kam qef ta heq jashtë Shkodre.

Pëllumbi i sugjeron Prek Kodrën: Është shok i mirë.

Behari: Brahimi (Ibrahim Lici) qenka në kërkim

Pëllumbi: Sot do të takoj këtë shokun e policisë në Shkodër dhe t’i them për ndonjë info për Brahimin.

Behari: Nëse e merr vesh premtoi sa lekë don veç ta thojn shpin dhe sa lekë don hap gojën, kudo që të jetë hyj e vras. Marr njerëz boll dhe i organizoj vetëm tek shtëpia e vet të mos jetë.

Behari e pyet Pëllumbin nëse ka besim tek ky polici dhe ai i përgjigjet që kam besim dhe do të flas me të dhe do i thotë.

Më datë 3 korrik të vitit 2020 Behar Bajri komunikon sërish me Pëllumb Gjokën.

Behari: Mbrëmë erdhi dhe më takoj “Beni”, mirë u ndava, më tha do të ndihmoj për Dorin se shkoka në Lezhë dhe kam unë baza më tha. Shkoka me Genc Tafilin dhe me Colin. Do të ndihmoj më tha, unë kam prit me dal ti.

Pëllumbi: Merre me të mirë.

Më vonë Behari komunikon me Pëllumbin në lidhje me një person me emrin “Luli” që ka shkuar për të vizituar Beharin pasi ka dal nga burgu.

Behari shprehet që ai nëndrejtorin dhe Shefin e Komisariatit i kishte të vetët.

Pëllumbi shprehet që, ato kanë nëndrejtorin dhe shefin e Komisariatit ndërsa ne kemi shefin e Krimit të Organizuar dhe e kemi informacionin 10, që ata nuk e dinë, dhe ti mos i thuaj.

Më datë 9 korrik Behari i shkruan Pëllumbit duke i thënë që ta pyesje atë shokun, duke iu referuar Ardit Hasanbegajt, për Ibrahim Licin, nëse është në kërkim. Ai e pyet dhe Hasanbegaj ia konfirmon.

Pra përveç fuqisë që ata vete kishin, armët e municioni që posedonin, paratë që ishin gati të ofronin për të realizuar një vrasje, në krah kishin edhe Policinë. “Metamorfoza” nxori në skenë emra informatorësh nga radhët e policisë dhe jashtë saj. Emra miqsh që paguheshin për të nxjerrë në pritë viktimat. Emrat e atyre që të vrisnin natën e ditën vinin e të qanin në varrim.

Nxori të skenë emra personazhesh mjaft të rrezikshëm të botës së krimit. Nga të dy krahët. Ata që do vrisnin dhe ata që do vriteshin. Madje këta që tashmë mësuan planet e thurura për t’i eliminuar mund të bëhen edhe më të rrezikshëm nga ç’ishin. Askush nuk mund të japë garanci për jetën askujt. Ashtu siç u pa edhe në dosjen e SPAK, ka njerëz që lehtësisht vrasin dikë sepse kanë detyrim ndaj dikujt. Madje siç i shkruante Behar Bajri Pëllumb Gjokës: Për ty e vras për qejf….

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!