“Të vjedhësh shokun”, 5 zbulimet flagrante në KQZ: Kush deputet “bëri kërdinë” me votat

schedule15:13 - 29 Tetor, 2021

schedule 15:13 - 29 Tetor, 2021

Nga Esiona Konomi

Të vjedhësh shokët. Është ky përshkrimi më i përshtatshëm i asaj që KQZ ka zbuluar nga rinumërimi i 10% të kutive të 25 prillit. Në të janë zbuluar se partitë nuk kanë vjedhur kundërshtarët, por kandidatët kanë vjedhur shokët e partisë. 5 rastet më flagrante të zbuluara implikojnë ministrin e brendshëm, Bledi Çuçi, socialistët Fatmir Xhafaj dhe Eduard Shalsi, ndërsa mes demokratëve abuzimet më të mëdha përfshijnë deputetët Zef Hila dhe Lefter Gështenja. 

Premtimi i Eduard Shalsit në 2013-ën është mbase nga më të pambajturit. Por pakkush mund ta kishte menduar se do të vinte një ditë që politikanët nuk do të vidhnin popullin, por njëri-tjetrin. Kutitë e hapura nga KQZ-ja, kanë konfirmuar se numëruesit i kanë vjedhur votat, por lufta nuk është bërë mes partive, por brenda partisë.

Kandidatët, kanë vjedhur shokët, ose të paktën, numëruesit e kanë bërë një gjë të tillë për ta. 5 janë rastet më flagrante të evidentuara, për të cilat do të përballen me kallëzim penal numëruesit. Socialistët i kanë problemet më të mëdha në Tiranë. Ai ka përfituar më shumë vota padrejtësisht është Eduard Shalsi. I renditur në vijën e zjarrit nga Rama, duke se ka pasur një përpjekje që ai të ndihmohej, edhe duke shkelur ligjin.

Vetëm në një qendër votimi në Kashar, zonë që Shalsi e mbulonte, numëruesit i kanë dhënë atij 76 vota më tepër, 36 nga të cilat i janë hequr Belinda Ballukut. Shalsi nuk deshi të komentonte këtë rrethanë, teksa u pyet nga ABC. I vjedhuri më i madh, rezulton të jetë Fatmir Xhafaj.

Vetëm në një qendër votimi, ata që kanë numëruar kutinë e Domjes në Bashkinë Vorë, i kanë hequr 46 vota Xhafajt, dhe ja kanë transferuar Ylli Shehut, një kandidat të importuar nga LSI. Xhafaj i pyetur nga ABC nuk e komentoi këtë cështje, ndërsa Shehu tha se nuk i njihte numëruesit e mund të ketë qenë gabim njerëzor, sepse ai dhe Xhafaj ishin të renditur njëri pas tjetrit. Mëkateve nuk ju ka shpëtuar as ministri i brendshëm. Në pak kuti të hapura në Gjirokastër, Bledi Çuçi ka përfituar pa drejtësisht 42 vota, kryesisht në dy qendra votimi, 29 vota në Gjirokastër dhe 23 në Dragot të Tepelenës.

E megjithatë, shefin e rendit e kanë vjedhur në njësinë Cepo, ku i kanë hequr 22 vota. Mes demokratëve, dy përfituesit më abuziv me votat, rezultojnë të jenë Zef Hila në Shkodër dhe Lefter Gështenja në Elbasan. Në vetëm tre qendra votimit të Vaut të Dejës, Zef Hila ka përfituar 104 vota që nuk i takonin, por ai nuk ka një koment për këtë.

Këto vota i janë vjedhur Helidon Bushatit, por edhe ai zgjedh heshtjen. Lefter Gështenja i ka marrë 116 vota Ardian Zenelit e kjo ka ndodhur në mënyrë demostrative nga numëruesit që kanë përpunuar votat e Perranjasit, Qukësit dhe Rajcës. KQZ do të kallëzojë penalisht të gjithë grupet e numërimit në fjalë, pavarësisht nëse komisionerët janë të PS apo të PD.

/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!