Premiera e programit ‘Abc e Pasdites’ me Ermal Peçin u hap me ngjarjen e trishtë që ndodhi në Kosovë ku një 11 vjeçare u përdhunua nga 5 të rinj. Në këtë bisedë u përfshinë Iris Luarasi, Nexhi Beqiri, Klaudio Pulaha dhe Zana Avdiu, të tre aktiv për problematikat sociale në Shqipëri e Kosovë. Iris gjatë fjalës së saj nënvizoi se personat që bëjnë vepra të tilla, janë autorë të krimeve seksuale në Kosovë. Ndër të tjera theksoi se duhet patjetër të kthehemi tek kastrimi kimik i pedofilëve.
“Shumë njerëz qeshin kur ne themi kastrimi kimik se mendojnë që është një metodë e së kaluarës. Por është një ligj që është në fuqi në vendet më të zhvilluara të Evropës. S’mund të më thotë njeri sot që këto vende evropiane janë të prapambetura. Po të më pyesësh mua si Iris kur vjen puna për krime seksuale, veçanërisht ndaj fëmijëve, unë do isha me dy duart për dënimin me vdekje.”
Nga ana tjetër, Nexhi nënvizoi se problemi është tek mendjet e njerëzve. Sipas saj, problemi është edukimi i shoqërisë shqiptare që nuk mund të preket me dorë një vajzë që nuk ka arritur pjekurinë seksuale apo që me vullnetin e saj nuk e do një marrëdhënie seksuale.
“Ligji parashikon një dënim maksimal 7-15 vjet, dhe kur është në bashkëpunim 10-20 vjet. Domethënë ligji qenka. Problemi është tani që a njihet ky ligj? Ai, thonë prindërit fëmijës së vet, qoftë ai dhe 15 vjeç, që shiko se nëse prek një vajzë minorene, dënohesh? Problemi është që shumë njerëz nuk i mendojnë pasojat”.
Ajo shtoi se ligji nuk është hakmarrës, një ligj ka brenda moralin, penalitetin dhe dënimin duke vënë përpara përgjegjësinë që duhet të vuaj. Juristja dhe aktivistja e Kosovës, Zana Avdiu pohoi gjithashtu se, më shumë se sa ligjore, është mendore.
“Dy nga dhunuesit i kemi të mitur, njëri është 19 dhe 26 vjeç, më shumë kemi të bëjmë me një kulturë dhe edukatë dominuese që është mbjell në kokën e fëmijëve”.
Klaudio Pullaha tha se që nga viti 2019 ka mbi 75 raste aktive që po ndiqen nga punonjësit social, të cilët kanë qenë pre e dhunës dhe shfrytëzimit seksual. Sipas tij, nuk duhet të mjaftohemi vetëm me një protestë pasi nga muaji Shkurt deri në muajin Shtator ka pasur 13 raste të denoncuara. /abcnews.al