Pjetër Kaza, 57-vjeçari që u vra mëngjesin e kësaj të diele të Tale të Lezhës punonte në minierën e Spaçit dhe sipas të dhënave, ishte kthyer në banesë rreth orës 01:00 pas mesnate. Dyshohet se vrasja e tij lidhet me një zinxhir të gjatë hakmarrjesh, që zanafillën e ka në vitin 1994, me vrasjen e Ndue Kazës, shef i krimeve në qytetin e Rrëshenit.
Ndue Kaza u vra më 7 janar të vitit 1994 në mes të qytetit të Rrëshenit. Autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje ishin vëllezërit Dod dhe Augustin Gjini, të cilët u arratisën pas krimit. Tre vite më pas, në vitin 1997, Martin Kaza, vëllai i viktimës, ekzekutoi për hakmarrje vëllezërit Gjini në qytetin e Laçit, për çka u dënua me 22 vite burg.
Konflikti nuk u mbyll me kaq. Më 28 prill 2024, në Belgjikë, u vra një tjetër anëtar i familjes Kaza, Agustin Kaza, vëllai i Pjetrit. Ai u qëllua për vdekje në një lokal shqiptarësh në Bruksel, ku autorët e goditën disa herë në kokë dhe kraharor.
Pjetër Kaza është viktima e tretë në familjen Kaza në kuadër të këtij konflikti, i cili duket se vijon prej më shumë se tri dekadash. Hetimet e prokurorisë janë përqendruar në pistën e gjakmarrjes, ndërsa policia po punon për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes./abcnews.al