Emanuel Adebayor është një nga të shumtët futbollistë që ka përjetuar momente tmerri. Sulmuesi nga Togo, i cili ka veshur edhe fanellën e klubeve të mëdha si Real Madrid, Manchester City, Arsenal, Monaco dhe Tottenham, ka menduar të heqë dore nga jeta. Asokohe ishte vetëm 16 vjeç dhe një mik i tij ia ndryshoi mendjen. Sulmuesit nuk i kanë munguar as problemet në familje, ndërkohë që ka rënë edhe pre e një sulmi me armë gjatë një udhëtimi me kombëtaren.
“Isha vetëm 16 vjeç dhe luaja me Metz në Francë”, tregon Adebayor. “Fitoja rreth 3 mijë sterlina në muaj dhe familja ime kishte kërkuar një shtëpi që vlente 500 mijë sterlina. Klubi ishte lodhur me sjelljet e mia. Mbaj mend që isha shtrirë një natë në krevat dhe po mendoja: ‘Çfarë po bëj këtu? Askush nuk është i kënaqur me mua, kështu që pse të jetoj?’ Kisha një farmaci poshtë shtëpisë ku banoja dhe bleva një paketë tabletash”, vijon rrëfimin për Daily Mail sulmuesi nga Togo.
“Nuk donin të mi shisnin, por ju thashë që më duhen për bamirësi në Togo. U ngjita lart, bëra përgatitjet dhe isha gati për të pirë gotën. Në atë moment mora në telefon mikun tim më të mirë. Ishte mesi i natës. Ai më shpëtoi jetën. Më tha se kisha shumë motive për të vazhduar përpara dhe insistonte se kisha potencial për të ndryshuar Afrikën”, tregon Adebayor.
Problemet në familje e kanë shoqëruar sulmuesin, i cili shton: “Kam pasur vështirësi me to. Unë dëshiroja me gjithë shpirt t’i ndihmoja, por ata më vunë në një presion të madh. Nuk mund t’ia dilja dot. Kur një familje është e varfër, të gjithë janë të varfër dhe ka shumë solidaritet në mesin e anëtarëve të familjes. Njerëzit e tu janë gati të marrin plumbin për ty. Por kur dikush ia del, atëherë është sikur të futesh në borxh me të gjithë”.
Gjithçka ndodhi në ditët e para të janarit të vitit 2010. Ishte data 8 dhe autobusi me lojtarët e Togos u sulmues. “Për 42 minuta kemi dëgjuar vetëm të shtëna nga të gjitha anët. Dëgjoja miqtë e mi duke ulëritur me të madhe, por nuk mund të lëviznim apo të bënim diçka. Si kapiten që isha, ju thashë gjithë lojtarëve që të telefononin familjarët e tyre.
Unë i telefonova të dashurës time dhe i thashë: ‘Dëgjo, sepse po largohem’. Ajo ishte shtatzënë dhe më pyeti se ku po ikja. Mblodha veten dhe i thashë: ‘Nëse fëmija do të jetë djalë, quaje Emanuel Jr. Nëse do të jetë vajzë, quaje Emanuela.’ Ajo nuk po kuptonte gjë. I thashë që do e telefonoja më vonë, nëse do të isha gjallë. Pastaj mbylla telefonin.” /abcnews.al