Të shtruarit në spitalin Covid-1, ministria merr vendimin drastik

schedule11:03 - 11 Shkurt, 2021

schedule 11:03 - 11 Shkurt, 2021

Me një urdhër të ri në Infektiv, nuk do të lejohen më ushqimet nga jashtë për të sëmurët. Kështu, familjarët do mund të sjellin për të shtruarit vetëm veshmbathje.

Kujtojmë se në një konferencë për mediat të mbajtur bashkë me kryeministrin Edi Rama të martën, ministrja Ogerta Manastirliu u tha gazetarëve që sjellja e ushqimit për pacientët me Covid-19 kishte qenë kërkesë e vetë familjarëve.

Ministrja shtoi se shteti dhe sistemi shëndetësor mund ta ofrojë si shërbim, por shtoi se ishte kërkesë e familjarëve që u plotësua.

Sipas Manastirliut, familjarët janë lejuar që të sjellin ushqim për të sëmurët për t’u krijuar një lloj afrimiteti duke qenë se nuk i vizitojnë dot personalisht.

“Rregulli i përgjithshëm para pandemisë, është që nuk lejohen ushqime nga jashtë. Në spital merr dieta të caktuara kalorike. Është vendosur nga vetë mjekët, pandemia ka krijuar edhe një lloj gjendjeje jo të mirë emocionale. Kjo ishte një mënyrë për të qenë afër familjarit.  Jo se spitali e shteti nuk i garanton, por sepse ka qenë një kërkesë e familjarëve që është pranuar.”

Megjithatë, si duket, tashmë është vendosur që tek Infektivi ushqimi për të sëmurët me Covid-19 do të ofrohet nga vetë spitali.