Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e së mërkurës kur dy persona të maskuar kanë shtënë me arme zjarri ndaj dy të rinjve duke vrarë një 17-vjeçare dhe plagosur rëndë një 23-vjeçar. Policia ka identifikuar autorin dhe e ka shpallur në kërkim, por nuk jep të dhëna shtesë për arsye hetimi.
Sipas policisë së kryeqytetit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:17 në zonën e Laprakës, kur janë plagosur me armë zjarri Griselda Gjikolaj, 17 vjeçe dhe Erjon Benga, 23 vjeç. Sipas policisë lokale, 17-vjeçarja ka ndërruar jetë pak minuta pasi ka mbërritur në spitalin e Traumës, si pasojë e plumbave të marrë në kokë, ndërsa 23-vjeçari pas ndërhyrjes së bluzave të bardha, ka kaluar gjendjen e rrezikut për jetën.
Dy të rinjtë kanë qenë brenda në makinë kur dyshohet se janë qëlluar nga dy persona të maskuar. Në vendngjarje mësohet se janë gjetur 4 gëzhoja. Policia e Tiranës ka sekuestruar kamerat e sigurisë në zonën ku u vra 17 vjeçarja Griselda Gjikola dhe u plagos Erjon Benga.
Policia ka identifikuar autorin, të cilin e ka shpallur në kërkim, por për arsye hetimore, nuk jep të dhëna shtesë. Po sipas policisë, autori dyshohet se ka qëlluar drejt dy të rinjve për motive të dobëta. I plagosuri në ngjarjen e së mërkurës mbrëma, Erjon Benga ka qenë i akuzuar në vitin 2016 për shantazh ndaj një vajze. I riu u akuzua dy vite më parë se ka shantazhuar një vajzë se do t’i publikonte një video intime, nëse nuk do t’i jepte 2 mijë euro./abcnews.al