Të shtëna armësh në derë të shkollës, pezullohen nga puna mësueset që nisën sherrin te “Çajupi”

schedule09:14 - 12 Tetor, 2021

schedule 09:14 - 12 Tetor, 2021

Elida Qenami dhe Domenika Toptani, dy mësueset që nisën sherrin që u përshkallëzua në përplasje fizike, përdorim të karrigeve deri tek të shtënat me armë pranë shkollës “Andon Zako Çajupi” në Tiranë, janë pezulluar nga detyra.

Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar Tiranë ka kërkuar nga Institucioni Arsimor mbledhjen urgjente të komisionit të etikës për vlerësimin e rastit në fjalë. Në njoftimin e saj publik Zyra Arsimore thekson se kushdo që përfshihet në ngjarje që cenojnë integritetin e profesionit do të ndëshkohet.

“Dëshirojmë të garantojmë opinionin publik dhe prindërit e nxënësve në veçanti se për çdo punonjës arsimor i cili përfshihet në ngjarje që cënojnë integritetin e profesionit, apo figurën e lartë të mësuesit, institucionet tona do të veprojnë pa asnjë tolerim, duke u mbështetur në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi”, thuhet në njoftim.

Sherri nisi ditën e djeshme përballë gjimnazit, pasi dy mësueset u konfliktuan për tavolinën në lokal. Më pas në sherr u përfshinë edhe të afërmit e tyre. Në lidhje me këtë ngjarje policia ka arrestuar një person ndërsa 5 të tjerë po hetohen në gjendje të lirë. m.v/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!