Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Roland Bejko pati një thirrje këtë të premte për demokratët, teksa kjo forcë politike hapi zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të 14 majit.
Gjatë një konference për mediat, Bejko tha se demokratët duhet të votojnë kandidatët e Partisë Demokratike për ta shpëtuar nga asimilimi dhe jo kandidatët e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Sipas Bejkos, kandidatët e Berishës po strehohen te Partia e Lirisë, e kryesuar nga Ilir Meta. Ai shtoi se çdo votë për koalicionin e tyre, i jep fuqi politike Metës.
“Unë i ftoj të gjithë ata të cilët e quajnë veten të djathtë, të votojnë kandidatin e Partisë Demokratike, të votojnë Partinë Demokratike, të mos hutohen nga ftesat që iu bëhen për të votuar kandidatë të tjerë që kanë qenë dikur të djathtë, por sot janë fshehur nën flamujt e partive të majta, sepse natyrisht, rezultati në fund, do të jetë një rezultat që do t’i bëjnë partitë e majta të tilla që t’i japë një rol me peshë politike dhe publike.
E kam fjalën për koalicionin në të cilin, një pjesë e mirë e demokratëve kanë shkuar pas zotit Berisha dhe janë strehuar nën ombrellën politike të Ilir Metës. Çdo votë që shkon për listën e këtij koalicioni, është një votë që i jep peshë politike, partisë së Ilir Metës, Partisë së Lirisë. I ftoj demokratët të jenë racionalë, të votojnë Partinë Demokratike, ta shpëtojmë Partinë Demokratike nga asimilimi që ka dashur të bënte prej kohësh trekëndëshi i Bermundës, i oligarkisë politike dhe ekonomike”, theksoi ai./abcnews.al