Të rinjtë janë larguar nga leximi/ Drejtori Piro Misha zbulon planin për t’i rikthyer në bibliotekë

schedule10:44 - 21 Shtator, 2023

schedule 10:44 - 21 Shtator, 2023

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha ka deklaruar se kriza e leximit është një realitet në të gjithë botën, i cili ka prekur dhe të rinjtë shqiptarë.

I ftuar në emisionin “Pas Mesnate” në ABC, ai u shpreh se Biblioteka Kombëtare po bashkëpunon me ambasadat dhe ndërkombëtarë për të gjetur forma të ndryshme që të rinjtë ta duan më shumë leximin.

Misha ka theksuar se kanë në plan një kalendar mjaft të pasur me shkrimtarë, lexime librash dhe ekspozita.

“Kriza e leximit është një realitet në të gjithë botën, sepse jetojmë në një realitet tjetër kur ke mjete të tjera informacioni që nga telefoni që nuk e ndan askush. Por ka mundësira, unë kam parë modele të tjera në një bibliotekë në Lituani, e cila është një vend i vogël dhe ka një bibliotekë që është gjigante tre here sa Universiteti i Tiranës, Korpusi qendror, ideja aty kishte forma nga më të ndryshmet për të rinjtë, që ata të futen në ambientin e librit dhe të bëhen kureshtarë. Kështu që ne do të gjejmë forma të ndryshme në bashkëpunim me ambasadat. Bashkëpunimet ndërkombëtare janë prioritet tani në Bibliotekën Kombëtare. Ne do të kemi një kalendar mjaft të pasur për të afruar brezin e ri, për të sjellë shkrimtarë, momente, lexime librash, për të bërë ekspozita të vogla këtu”, u shpreh ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!