Situata për sa i përket koronavirusit paraqitet shqetësuese në vendin tonë dhe autoritetet bëjnë apel për të ndjekur rregullat dhe respektuar distancimin social. Por, duket se për të rinjtë virusi nuk ekziston, pasi të shumtë janë ata që frekuentojnë klubet dhe lokalet e natës.
Pavarësisht faktit se numri i të infektuarve me virus vazhdon të mbetet i madh, kjo nuk i ndalon ata që të frekuentojnë koncertet. Një video që ka publikuar këngëtarja Dafina Zeqiri, e cila ka performuar në një klub në Durrës tregon vendin e stërmbushur plot me njerëz, shkruan abcnews.al.
Por, edhe pse ndodhen në një ambient të hapur, përsëri njerëzit ndodhen pranë-njëri-tjetrit, dhe siç duket nga pamjet, ata nuk respektojnë rregullat e distancimit social. Kujtojmë që Dafina ka ardhur së fundmi me dy projekte që janë pritur mjaft mirë nga publiku, “Aman” një bashkëpunim me Ledri Vulën dhe Lumi B, si edhe “La Vida”, këngë e cila e bëri bashkë me artistin suedez Gee Dixon. /abcnews.al/