Të rinjtë e FRPD i qëlluan makinën me vezë, Basha: S’ka nevojë për xhelozi, kryetari është i të gjithëve

schedule12:26 - 18 Janar, 2022

schedule 12:26 - 18 Janar, 2022

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është duke mbajtur pranë RTSH-së një takim me gra dhe vajza të PD. Megjithatë, ndërsa kryedemokrati mbërrinte në takim, disa gra të LDG-së dhe të rinj të FRPD e kanë pritur me pankarta dhe thirrjet “Basha ik”.  Disa të rinj madje qëlluan me vezë në drejtim të makinës së Bashës.

Kreu i të djathtëve e ka marrë me sportivitet situatën dhe u tha të pranishmeve në takim, se nëse ata jashtë do të ishin gra do t’u thoshtë “hajdeni brenda, nuk ka vend për xhelozi, kryetari është i të gjithëve.”

Ndërsa bisedonte me gratë dhe vajzat në takim, Basha u kthye nga kundërshtari i tij politik Edi Rama të cilin e akuzoi se e ka ndërtuar karrierën duke përdorur gratë si fasadë apo kuota.

“Rikthimi një orë e më parë tek zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Duhet të mbizotërojë vizioni. Cfarë vizioni ka PS, për gratë përveçse për t’i përdorur si kukulla, për numra si fasadë. Bilanci është emigracioni masiv i grave dhe vajzave, rritja e moshës së pensioneve për gratë.”

Nga ana tjetër, Basha u shpreh se do të shohë më shumë zonja në drejtimin e PD-së në të gjitha nivelet.

“Mund të themi këtë që, sikur gjithë këtë gjuhë që është përdorur në veçanti në raport me zonjat, me vajzat, me gratë e Partisë Demokratike, nga një grusht njerëzish që s’i kemi parë në fushatë kundër Ramës, as të nxjerrin zë, jo më të bërtasin, atëherë gjërat do të kishin qenë ndryshe. Atëherë për hesap të kujt e bëjnë? Për hesap të PD-së jo e jo, as qytetarëve shqiptarë që duan normalitet, dhe normaliteti nuk vjen duke i shërbyer një tjetër njeriu, i cili ka ndërtuar të gjithë karrierën e tij politike, duke zgjedhur sakrificën e grave dhe duke i përdorur gratë si fasadë, apo duke i përdoru si kuota. Gratë nuk janë kuota, nuk janë fasadë, nuk kanë qenë kurrë në bindjen time para se të futesha në politikë, para se të krijoja familje, e aq më shumë tani që në familje sigurisht jam minorancë, por siç e shikoni, e them me kënaqësi që edhe në përgjegjësinë që më keni ngarkuar, po e shikoni që nga grupi parlamentar, tre komisione ku ne kemi kryetar, të tre kryetaret janë zonja. 4 nga 7 delegacionet e Komisionit të Përhershëm Parlamentar, që i takojnë demokratëve në Parlamentin Evropian, janë zonja. Sigurisht dua të shohim më shumë zonja kryetare degësh, kemi pak, mirëpo ato që i kemi, janë shembull për të treguar se çfarë mund të bëjë një zonjë apo një zonjushë demokrate, kur vendos zemrën, shpirtin, personin tek misioni që kjo parti, kjo familje politike ka. Nejse, bëra një hyrje sepse duke qenë që kishim një hyrje atje.. me të vërtetë të ishin gra dhe zonja, do u thoja, ejani dhe ju. Ejani futuni brenda, nuk ka vend për xhelozi, kryetari është i të gjithëve.” /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!