“Të reformohet policia e shtetit”! Kjo ishte një nga kërkesat e qytetarëve pak ditë më parë në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit, që u ngritën në protesta pas vrasjes nga një efektiv policie, të Klodian Rashës. Si pasojë e protestave dha dorëheqjen nga posti Sandër Lleshaj dhe në vendin e tij u emërua Bledi Çuçi, i cili ka nisur punën për reformimin e policisë së shtetit.
Lexo edhe: Bledi Çuçi prezanton sondazhin: 80% e qytetarëve ndihen të sigurt kur dalin vetëm natën
Në aktivitetin e prezantimit të anketimit të qeverisë suedeze mbi perceptimin e publikut për Policinë e Shtetit, ku mori pjesë edhe Bledi Çuçi, zv/ ministrja Romina Kuko prezantoi tre pikat e politikës së re në drejtimin e ministrit të ri. Kuko tha se do të reformohet shërbimi policor, do të rriten parametrat e sigurisë dhe do të futen në trajnim etike të gjithë policët.
Lexo edhe: Flet për herë të parë pas protestave për Klodianin, Veliu: I kemi përballuar me sukses sfidat
“Do të prezantoj politikat. Do të duhet të japim një impuls të ri. Ne jemi në hapat finalë të hartimit të strategjisë së sigurisë në komunitet. Zoti ministër sipas porosisë tuaj, unë po jap piketat kryesore të strategjisë. Pika e parë është reformimi i shërbimit policior dhe rritja e kapaciteteve për policimin në komunitet.
Lexo edhe: Romina Kuko: Do të shtojmë orët policore në shkolla
Policia do të duhet të transformohet nga një forcë në një shërbim policor. Duke filluar nga momenti që policia merr telefonatën, i shërben dhe e jep drejtësi do të duhet të ketë një reformim tërësor dhe të qenësishëm. Politika e dytë ka të bëjë me rritjen e parametrave të sigurisë në komunitet. Metodologjinë e kemi shumë të mirë. Politika e tretë ka të bëjë me angazhimin me komunitetin.
Ne duhet të lehtësojmë aksesin e publikut. Në akademinë e sigurisë kemi një trajnim shumë të mirë për pjesën e etikës së policisë, që do të kalojnë të gjithë efektivët, si ata që marrin shkollimin për herë të parë, por edhe ata që bëjnë kurse ritrajnimi për këtë pjesë. Do të jetë një trajnim etike që jep bazat e respektimit të lirive të individit” tha ajo./ db/Abcnews.al