Të përzgjedhurit e trajnerit Reja, sa prej tyre kanë luajtur në Superiore

schedule09:57 - 22 Mars, 2021

schedule 09:57 - 22 Mars, 2021

Shqipëria është gati për ndeshjen kundër Andorrës, që zhvillohet më 25 mars, dhe më pas do të mendojë edhe për duelet ndaj Anglisë dhe San Marinos, të programuara brenda këtij muaji.

Trajneri Edoardo Reja ka shpallur ditën e djeshme listën e lojtarëve që do të ketë në dispozicion dhe në të bie në sy vetëm një lojtar që aktivizohet momentalisht në Kategorinë Superiore.

Bëhet fjalë për mbrojtësin e Tiranës kampione në fuqi, Erjon Hoxhallarin. Në total në listë janë edhe 8 lojtarë të tjerë që në të shkuarën kanë luajtur në elitën e futbollit shqiptar.

 

Nisemi nga porta, ku bie në sy Gentian Selmani, i cili është aktivizuar me Laçin dhe ka spikatur. Në mbrojtje është Albi Doka, pjesë e Tiranës sezonin e kaluar, një lojtar që dha kontribut të madh në fitimin e titullit vjet.

Nga mesfushorët janë katër lojtarë që janë aktivizuar në Superiore. Njëri është Odise Roshi, dikur pjesë e Flamurtarit, i cili kaloi nga kampionati ynë në Bundesliga te skuadra e Koln. Gjithashtu Ylber Ramadani ka luajtur me Partizanin.

Dy të tjerët janë Sherif Kallaku dhe Enis Çokaj. I pari ka luajtur me Laçin dhe Teutën, kurse djaloshi nga Malësia e madhe ka qenë pjesë e kurbinasve për gjashtë muaj në huazim nga Lokomotiva e Zagrebit.

 

Eksperienca të rëndësishme në Superiore ka edhe Sokol Cikalleshi, produkt i Besës së Kavajës. Sulmuesi është aktivizuar edhe me Skënderbeun, Tiranën dhe Kukësin. Myrto Uzuni është një tjetër produkt i futbollit shqiptar.

Beratasi ka luajtur fillimisht në Kategorinë e Parë me Tomorin, për të kaluar më pas te Apolonia në Superiore. Spikati menjëherë aty dhe fitoi një vend te Shqipëria U21, ndërkohë që më pas e bleu Laçi. Kurbinasit ishin trampolina e parë e Uzunit, që u shit në Kroaci fillimisht dhe më pas në Hungari, ku po shkëlqen me Ferencvaros. / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!