Të përjashtuarit e Bashës, Kuvendi pret dokumentet

schedule16:27 - 12 Janar, 2022

schedule 16:27 - 12 Janar, 2022

Nga Esiona Konomi

Sali Berisha dhe 9 deputetë të tjerë që u zgjodhën nën listat e demokratëve, janë përjashtuar nga partia, duke dalë kështu automatikisht edhe nga grupi parlamentar.

Aktualisht, janë të paktën 15 deputetë që janë rreshtuar përkrah Berishës e që Basha ua ka mbyllur derën e selisë blu.

Por një derë nuk mund tu mbyllet nga askush pa u bërë 4 vite. Është dera e parlamentit.

Por si do të organizohen demokratët të ndarë në dy pjesë? Burime nga selia blu, thotë se Alfred Rrushaj, në cilësinë e kryetarit të grupit të Bashës, do të informojë me shkrim Kuvendin për listën zyrtare të deputetëve të tij, duke hequr ata që i përjashtoi nga PD.

Por cfarë do të bëjë grupi i mbështetësve të Berishës? A do të zyrtarizojnë ata në Kuvend një grup parlamentar demokrat paralel me të Bashës? Për momentin ky duket një hap i largët, dhe Rregullorja e Parlamentit nuk ka ndonjë parashikim të saktë se çfarë mund të bëjë një deputet që përjashtohet nga partia e tij.

Por socialistët e shkurtojnë rrugën, duke propozuar një zgjidhje që nuk është saktësisht në rregullore, por që mund të përdoret në këtë rast që nuk ngjan me  të tjerët.

Zëvendësimi i të larguarve nga Basha pritet të shtrihet edhe në detyrat e tyre si kryetarë komisionesh, siç është Albana Vokshi tek Shëndetësia, apo e nënkryetarit të Komisionit të Ligjeve, Oerd Bylykbashi, si dhe roli i tyre në disa komisione të përhershme apo të posaçme parlamentare. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!