Të pavaksinuarit: Kaput!

schedule21:18 - 16 Dhjetor, 2021

schedule 21:18 - 16 Dhjetor, 2021

Nga Ervin Qafmolla

Ndërkohë që zjarret e më të lirëve ndër ne ndriçojnë sheshet e Europës, dikush mund ta ketë të pamundur të fashisë një farë përçmimi intelektual dhe personal ndaj fytyrave me mllef apo entuziazëm të sinqertë, që si xixëllonja qorre nëpër terr, ngarendin flakadanët e tyre kundër shkencës.

Në një nivel më të qetë reflektimi, duhet pranuar që debati mbi të drejtën për të mos u vaksinuar ndërtohet mbi paradokse interesante.

Nga njëra anë është krejt e logjikshme që dikush të ketë të drejtën e plotë për të zgjedhur se çfarë futet në trupin e vet dhe sesi e trajton atë.

Dhe deri më sot, mund të duket sikur parimi i shmangies së vetëlëndimit është kufizuar te mbajtja e detyrueshme e rripit në veturë, e ndonjë mbrojtëseje për kokën në punë ose mjedise specifike, apo masa të tjera të ngjashme me to.

Por zgjedhjet vetjake shëndetësore nuk janë krejt pa pasoja.

Ka ofrues të sigurimit shëndetësor që ofrojnë shërbime dhe kompensime të kufizuara për duhanpirësit, ndonëse vetë akti është zgjedhje sovrane e konsumuesit të cigares.

Nga ana tjetër, dhe në të njëjtat rrethana, nuk lejohet të pish duhan ku ta ka ënda. Një paralele e pasforcuar mund të hiqet këtu me detyrimim e mbajtjes së maskës në kontekstin e pandemisë.

Parimi është që nëse dëshiron të vrasësh veten, nuk mund ta bësh këtë duke rrezikuar të tjerët. (Nëse dëshiron të hidhesh nga një lartësi, këshillohet që ky ushtrim të ekzekutohet kur poshtë nuk ka të tjerë.)

Edhe brenda subjektit të shumëdiskutuar të vetëlëndimit ekzistojnë rrethana dhe masa të tjera shtrënguese.

Është praktikë normale që një person i prirur të lëndojë veten, t’i nënshtrohet mjekimit të detyruar dhe kufizimit relativ të disa lirive. I njëjti mund të argumentojë që “është shëndeti im, është jeta ime”.

Por pavarësisht këtyre protestave, me merita të paktën filozofike, shoqëria (lexo “diktatura sanitare”) ka vendosur që më e mira për individin nuk është kurdoherë çfarë ai zgjedh për veten.

Ndaj dhe dikush me çrregullime mendore, me varësi ndaj drogës apo shmangie të tjera objektive, dërgohet për trajtim të detyruar.

Ata që paraqesin rrezik real për të tjerët i ndryjmë burgjeve. (Dhe këtu mund të heqim një paralele tjetër me kufizimin e lirisë së lëvizjes gjatë pandemisë.)

E vërteta është që të jetuarit në shoqëri ka të brendashkruar faktin se zgjedhjet individuale kanë efekte komunitare.

Bota ende po studion pasojat që mbingarkesa e sistemeve spitalore prej COVID-19 ka shkaktuar mbi të prekurit nga sëmundje të tjera.

Përshkallëzimi i kapjes së vonuar të rasteve me kancer dhe fatalitetet përkatëse si pasojë e mbingarkesës së sistemeve shëndetësore, tashmë të dokumentuara, janë vetëm një aspekt i gjëmës. Njerëzit kanë vdekur edhe nga absese banale sepse nuk mundën të kishin qasje në shërbim.

Paralelisht, rezulton që niveli i vdekjeve nga COVID-i shkon në krah të kundërt me vaksinimin, ku vendet me normë më të lartë vaksinimi regjistrojnë më pak vdekje dhe hospitalizime, dhe anasjelltas.

Rrjedhimisht, do të preferoja që të mos vdisja nga ndonjë sëmundje e kurueshme për shkak se sistemi shëndetësor është drejt kolapsit nga ata që meqenëse nuk kanë ndonjë justifikim më pak dëshpërues për përvojat zhgënjyese që përjetojnë, tani kanë zbuluar si përligjje të mllefeve, kryqëzatën idiote kundër shkencës.

Ndaj, sado johumane apo e pamundur, refuzimi i dhënies së ndihmës ndaj të pavaksinuarve (përjashto ata që nuk munden për arsye shëndetësore) do të ishte, në rastin më modest, një fillim i mirë.

– – –

Ps: “Dhe jo plak, sperma jote e pavaksinuar është ide po aq e keqe sa sperma jote në çdo kontekst. Riprodhimi i njerëzve si ti është arsye shtesë se përse planeti po ikën për l*sh.”

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!