Bashkimi Europian ripërsëriti kërkesën për formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në mënyrë të menjëhershme, pa vonesa dhe pa kushte.
Në një konferencë për shtyp nga Brukseli, zëdhënësi i unionit 27 anëtarësh deklaroi se BE po monitoron me kujdes situatën në veri të Kosovës ndërsa shtoi se palët duhet të fokusohen në dialog dhe jo në deklarata për mediat apo akuza, duke iu referuar kështu kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit.
“Do të përsëris edhe një herë dy pika shumë të rëndësishme. 27 Shtetet Anëtare të BE-së kanë thënë shumë qartë se puna për krijimin e Asociacionit duhet të fillojë pa ndonjë vonesë apo parakushte të mëtejshme. Çështja si të bëhet, në çfarë mënyre, në çfarë forme do të diskutohet në dialog. Dialogu është platforma për të zgjidhur çështjet dhe procesi duhet të zhvillohet dhe do të zhvillohet në dialog, jo në publik, jo në media. Të gjithë të përfshirët e dinë se cili është qëndrimi i BE-së dhe të gjithë e dinë se cili është procesi për të arritur atje, për të zbatuar një nga këto marrëveshje. Puna ka filluar në një moment dhe pritshmëria e BE-së ishte, siç thashë, e shprehur së fundi në deklaratën e 27 shteteve anëtare nga fillimi i kësaj jave, se puna duhet të fillojë pa ndonjë vonesë të mëtejshme dhe pa asnjë parakusht të mëtejshëm”, tha zëdhënësi.
Sa i përket arrestimeve të tre serbëve të akuzuar për krime lufte në Kosovë përgjatë ditëve të fundit , zëdhënësi i BE-së tha se po ndjekin me vëmendje rastin dhe se nëse do të jetë e nevojshme do të reagojnë publikisht./abcnews.al