Princ Leka Zogu i dytë ka kallëzuar ne komisariatin nr.1 në Tiranë, dhunën e ushtruar nga ish-bashkëshortja e tij Elia Zaharia dhe babai i saj Gjergj Zaharia. Ngjarja ka ndodhur në banesën e familjes mbretërore në rrugën “Murat Toptani” në Tiranë.
Sipas dëshmisë së Princ Lekës, ai ka shkuar aty të martën rreth orës 15,20 për të takuar vajzën e tij, por aty është ndeshur me ish vjehrrin. Sipas dëshmisë të Princ Lekës, Gjergj Zaharia e ka goditur me një statujë prej druri në prani të vajzës 3-vjeçare.
“Jam ngjitur dhe kam gjetur vajzën time 3-vjeçe e cila ka qenë me gjyshin e saj, Gjergj Zaharinë. Unë përqafova vajzën, por Gjergji ka filluar me fjalë fyese e kërcënuese në drejtimin tim, duke më thënë se duhet të ndërroj rrugën kur të shikoja atë. Para kësaj situate i kam kërkuar Gjergjit që të mos me ofendoje e kërcënoje, sidomos në prani të vajzës edhe i kam kërkuar që ai të largohet nga dhoma ku unë po qëndroja me vajzën. Në këto momente situata ka agravuar, Gjergj Zaharia më është afruar duke më shtyrë e goditur me shkelma tek këmbët. Reagimi im ka qenë vetëm mbrojtës, por Gjergji ka vazhduar duke më goditur madje edhe me një statuje druri” , thuhet në dëshminë e Princ Lekës.
Pas këtij denoncimi, komisariati nr.1 ka thirrur për deklarim Elia Zaharinë bashkë me babanë e saj Gjergj Zaharia. Ky i fundit para oficerëve të policisë, ka mohuar që të ketë ushtruar dhunë ndaj Princ Lekës, madje bën fajtor atë për situatën e ndodhur.
“Princi ishte i dhunshëm ndaj meje dhe më ka folur me një gjuhë të ashpër. Nuk e kam dhunuar, vetëm jam mbrojtur. Unë jam 70 vjeç dhe nuk qëndroj dot në këmbët e mia, jo më të godas me shkelma princin që është 2 metra i gjatë”, thuhet në dëshminë e Gjergj Zaharisë.
Në deklaratën e saj edhe Elia Zaharia, ka hedhur akuza ndaj Princ Lekës duke i dalë në mbrojtje babai të saj. Pas marrjes së deklaratave, Princ Leka, por edhe familja Zaharia kanë kërkuar urdhër mbrojtje të menjëhershëm nga policia. Ndërkohë komisariati nr.1 çështjen e ka referuar në Prokurorinë e Tiranës.
Më 15 janar të këtij viti Princ Leka njoftoi zyrtarisht se ka nisur procedurat e divorcit nga Elia Zaharia, me të cilën është martuar në vitin 2016 dhe janë prindër ten je vajze 3-vjeçare.