Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha thotë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duhet të ndalet, nga dëmi territorial që sipas tij, ai po i bën vendit, duke pranuar draft statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Në një intervistë për ABC News, Berisha u shpreh se duhet të krijohet një qeveri tranzitore, që të shmanget ky Asociacion.
“Parlamenti duhet ta ndalë dhe të shkojmë në një proces politik, ku do t’i shmangim apo do t’i mohojmë të gjitha këto marrëveshje, ne kemi marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuara. Të futemi në proces zgjedhor, ose të krijohet një qeveri. Ne kemi krijuar një moraturium ligjor brenda Kuvendit, me qëllim që ta detyrojmë të vijë në një konsensus që do të ishte një qeveri tranzitore, dhe ta shpëtojmë situatën. Pra, t’i kyejmë detyrimet ndërkombëtare që i kemi me marrëveshjen e 2013 dhe me parimet e vendosura në 2015.
Nuk kemi nevojë të hyjmë në transativa që ka hyrë kryeministri Kurti dhe që po na çojnë tani në prishjen e parimeve kryesore kushtetues të vendit, që është karakteri unitar i shtetit. Ky po tregon që e ka kryeneçësinë, e ka arrogancën e numrave, sepse i ka numrat e votave, shto votat e minoriteteve, i ka numrat e mjaftueshëm për të kaluar ligje të tilla”, theksoi ai./abcnews.al