Skuadrat kryesore të Europës pësuan humbje në ndeshjet e fundit të Ligës së Kampionëve. Të rënda, sidomos, disfatat për Realin dhe Juventusin.
Nuk mbahet mend të ketë ndodhur kaq keq më parë. Katër skuadra favorite u mposhtën në ndeshjet e fundit të Championsit, madje Reali e Juventusi mund të thuhet se u turpëruan. Bashkë me ta, edhe Manchester United, i thyer në Spanjë nga Valencia, dhe Roma e mposhtur në Çeki nga Viktoria Plzenj.
Çfarë ndodhi që gjigandë të tillë si madrilenët dhe juventinët u dorëzuan kaq pa lavdi?
Duke lënë mënjanë, për momentin, teoritë konspirative, le të themi se Reali thjesht konfirmoi se nuk mund t’i zihet besë këtë sezon. Juvja, ndërkaq, pati një mbrëmje “jo” në fushën e një rivali mjaft modest si Young Boys-i i Zvicrës, në një sfidë si ajo e Davidit ndaj Goliadhit.
Kampionët e Italisë kanë të ardhura vjetore prej mbi 400 milionë eurosh, ndërsa zviceranët mezi arrijnë në 35 milionë. Cristiano Ronaldo sërish nuk arriti të shënonte, ndonëse ishte titullar. Prej 11 vitesh nuk i ndodhte që të shënonte vetëm 1 gol në fazën e grupeve në Champions. Reali, kampion i Europës, pësoi një humbje që as nuk mund të mendohej, 0-3 në “Bernabeu” ndaj CSKA-së së Moskës, disfata më e rëndë në shtëpi në histori, në Ligën e Kampionëve.
Trajneri Solari bëri ndryshime në formacion, por gjithsesi pati mjaft emra të njohur, plus pas pushimit u aktivizuan edhe Kross, Karvajal apo Bale. Po në këtë grup, i hidhur edhe dështimi i Romës. Klubi italian ishte padyshim një gjigand i vërtetë në krahasim me Viktorian modeste të Plzenjit nga Çekia, me një buxhet shumë më të vogël.
Humbja 1-2 nuk i prishi punë romanëve, por i futi edhe më shumë në krizë dhe e afroi shkarkimin e trajnerit Di Françesko.
E rëndë edhe për Manchester United dhe për Jose Mourinhon. Edhe pse me një ekip me mjaft ndryshime, sërish trajneri portugez priste më shumë në Spanjë, ku u mund 1-2 nga Valencia. Ai i dha shans yllit kryesor të ekipit, Paul Pogba, veçse as francezi nuk mundi të ndryshonte balancën e ndeshjes, ndërsa konflikti i tij me Mourinhon vazhdon. Pavarësisht se shumë nga skuadrat e mëdha pësuan humbje, ato e siguruan kualifikimin për në turin e dytë.
Të hënën hidhet shorti dhe të kualifikua janë këto.
Vendet e para në grup: Barcelona, Bayern, Dortmund, Juventus, Manhcester City, Paris SG, Porto, Real Madrid.
Vendet e dyta në grup: Ajax, Atletiko Madrid, Liverpool, Lyon, Manchester United, Roma, Schalke, Tottenham./abcnews.al