Qeveria do të nisë një konsultim të gjerë publik për mbylljen e rrjeteve sociale të TIK Tok dhe Snapchat, pas vrasjes tragjike të 14-vjecarit Martin Cani nga bashkëmoshatari i tij.
Në përfundim të mbledhjes së qeverisë, kryeministri Edi Rama tha se po studiohen praktikat më të mira europiane për ndalimin e aksesit të fëmijëve në rrjetet sociale, të cilat sipas tij po cënojnë edhe autoritetin e mësuesve dhe prindërve.
“Dilema jonë si qeveri është nëse duhet të provojmë edhe ne të ecim në drejtim të vendosjes së filtrave kur në fakt nga të gjitha eksperiencat e deritanishme në Europë apo përtej Europës, mësojmë se efektiviteti i tyre është ende shumë i ulët, ndërkohë që stimujt e dhunës dhe rastet e bullizmit në botën online të fëmijëve dhe të adoleshentëve, vetëm rriten apo të ndërmarrim një masë drastike për mbylljen e plotë të Tik-Tok-ut e pse jo, të SnapChat-it në territorin e Republikës së Shqipërisë”.
Kreu i qeverisë tha se shumë shpejt shkollat dhe rrugët kombëtare do të monitorohen me kamera inteligjente, falë një bashkëpunimi të qeverisë me Emiratet e Bashkuara.
“Jemi duke punuar intensivisht për projektin e ngritjes së një sistemi të ri digjital të kontrollit të shkollave dhe të çdo klase në kuadrin e sistemit të ri kombëtar të monitorimit me kamera inteligjente të rrugëve kombëtare dhe të rrugëve të qyteteve tona”.
Një mesazh e kishte edhe për kundërshtarët politike, të cilëve i kërkoi të mos e përdorin tragjedinë për kredite politike, në një kohë që ato vetë janë nxitës të dhunës.
“Shumica dërrmuese e atyre që derdhin lot krokodili për Shqipërinë dhe për popullin janë në fakt lëvrues të papërgjegjshëm të gjuhës së dhunës dhe herë pas here dhe nxitës të hapur të dhunës duke përfshirë dhe vet sallën e Parlamentit të Shqipërisë që është një shkollë e hapur dhune dhe nxitjeje e gjuhës së dhunës”.
Kjo tragjedi thotë Rama, duhet të bashkojë prindër e politikanë pasi gjithsecili është përgjegjës për mbrojtjen dhe edukimin e fëmijëve./abcnews.al