“Të marrë fund kjo agoni,” deputetet e Grupit të PD për shqyrtimin e ankimimit: Gjykata e Apelit po mbahet peng

schedule12:13 - 4 Tetor, 2022

schedule 12:13 - 4 Tetor, 2022

Disa deputetë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike janë paraqitur pas mesdite në Gjykatën e Apelit për t’u interesuar rreth ankimimit të bërë për çështjen e PD-së. Deputeti Dashnor Sula u shpreh se si përgjigje nga Gjykata morën se dosja që është me gjyqtare Elona Torën nuk është planifikuar për t’u gjykuar edhe pse kanë kaluar thuajse gjashtë muaj nga një kërkesë e bërë prej tyre për përshpejtim procedurash.

Sula u shpreh se nëse nuk merret një vendim i formës së prerë sa më shpejt të jetë e mundur, kjo do të nënkuptonte se ka persona nga mazhoranca apo “aktorë të tjerë politikë” që janë të interesuar që kjo çështje të mos gjykohet në të ardhmen e afërt.

“Për të mos ndikuar në rezultatin final për çështjen e 5 marsit 2022. Duam një shpejtim të gjykimit në Gjykatën e Apelit. Na u tha se dosja me gjyqtare Elona Torën, nuk është planifikuar për t’u gjykuar. Kanë kaluar 5 muaj dhe nuk është marrë në shqyrtim. Ne gjykojmë se ka indikatorë se persona të interesuar nga mazhoranca apo aktorë të tjerë, janë të interesuar që kjo çështje të mos gjykohet sa më shpejt. Duam që gjykimi të bëhet sa më parë, pavarësisht vendimit. Duam që të marrë fund kjo agoni. Për sa kohë vendimi mbahet peng nga Apeli, është në dëm të demokracisë. Gjykata e Apelit po ndikon në mbarëvajtjen e punës në PD,” u shpreh deputeti Dashnor Sula para gazetarëve.

Nga ana tjetër, deputeti Saimir Korreshi u shpreh se ai dhe ligjvënës të tjerë demokratë nuk shkuan pranë Gjykatës së Apelit për të bërë presion, por për t’u informuar nëse do të ketë një vendimmarrje përfundimtare. Korreshi tha se ajo pjesë e PD-së që ai përfaqëson nuk do që të përsëritet një “6 Mars” i dytë. Kjo pasi, sipas asaj që tha deputeti, asnjë nga anët e partisë nuk do të dilte e fituar.

Deputetet e Grupit Parlamentar të PD-së thanë se nuk do të presin përgjithmonë për vendimin, ndërsa shtuan se e mira është që të nisin sa më shpejt negociatat mes dy pjesëve të partisë për të hyrë në zgjedhjet lokale me kandidatë të përbashkët. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!