Haxhi Hoti, anëtari i Nismës Socialdemokrate, i cili kërcënoi me vdekje liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, është arrestuar. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, tha se policia e Kosovës ka trajtuar informacionin e publikuar ne rrjete sociale dhe sipas deryrës zyrtare ka ndërmarr veprimet konform autorizimeve ligjore duke trajtuar rastin si “shtytje në vrasje”.
Të gjitha veprimet jane ndërmarrë në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë. Haxhi Hoti është kërkuar dhe nuk është gjetur në shtëpi, por është paraqitur më pas në polici, me urdhër të prokurorit dhe është ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejshme.
Hoti kishte kërcënuar Albin Kurtin duke shkruar në rrjetet sociale që ai ose duhej të largohej nga Kosova ose të vritej. Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi reagoi pas kërcënimit duke thënë se Nisma që nga fillimi ka qenë dhe është kundër cdo dhune dhe se mbështet drejtësinë e shtetit ligjor. “Kushdo që është jashtë kësaj fryme , nuk është NISMË!” shkroi Krasniqi në rrjetet sociale. Pas kërcënimit të Haxhi Hotit, reagoi edhe Mimoza Kusari, e cila tha se ky është grushti i fundit për të na zgjuar nga ëndrra dhe për t’na kthyer në realitet, në të cilin shkelësit duhet dënuar dhe besimi se ata do të pranojnë ndryshimet pa zhurmë është i rremë. “Çdo vonim i mëtejshëm i formimit të Qeverisë, do të sjellë fjalë, fyerje e akte tjera të gjithë atyre që u përmbajtën në fushatë dhe në zgjedhje”, shkroi Kusari.
Edhe Zafir Berisha reagoi në mediat sociale duke thënë se kërcënimi, ofendimi dhe shantazhi jan bërë “kulturë” që nga paslufta në Kosovë dhe askush në asnjë moment nuk e ka menduar se ky fenomen do të degjenerojë deri në atë shkallë, sa “ata që janë artistë në paraqitje, do të përfitojnë me mjeshtri duke u viktimizuar pa e llogaritur gjendjen e mjerë në të cilën po rrëshqet shoqëria në këtë fushë!”/abcnews.al