“Të lëmë pas euforinë e kualifikueseve”, Manaj pas humbjes: Në Evropian do të ketë ekipe më të forta se Kili

schedule23:16 - 22 Mars, 2024

schedule 23:16 - 22 Mars, 2024

Pretendimet ishin të mëdha, mirëpo fusha e blertë tregoi komplet një anë tjetër. Kombëtarja e Kilit bindi të gjithë se është më lart se Shqipëria modeste, pavarësisht se arriti jo me pak vështirësi, një fitore të thellë, 0 me 3, në “Ennio Tardini” të Parmës, duke i dhënë një “goditje” të fortë “Kuqezinjve”, në nisje të “testeve” miqësore, para Euro 2024.

Ndër “surprizat” e teknikut Syvlinho ishte edhe hedhja në fushën e lojës, si titullar e “bomberit” të Sivasspor, Rey Manaj, i cili luajti deri në mesin e fraksionit të dytë të sfidës, por pa arritur të shkëlqente, siç bën të Turqi. Pas sfidës, sulmuesi nga Lushnja u shpreh se kanë dy muaj kohë për t’u përgatitu për Evropianin, aty ku do të gjejnë Kombëtare shumë më të forta se Kili.

“Golat në Turqi vlejnë deri në një fare pike, duhet të tregojmë veten në Kombëtare. Kemi 2 muaj kohë, të lemë pas euforinë e kualifikueseve. Në Europian do të ketë ekipe më të forta se Kili, duhet të punojmë dhe të lejmë gjërat e tjera anash. Sot nuk ishte ndeshja jonë, nuk u gjetën në fushë, kishin shumë distanca. Shyqyr Zotit që ishte vetëm një miqësore, duhet të përgatitemi akoma më mirë.

Tani unë duhet të fokusohem te Kombëtarja, jam shumë kërkues me veten, duhet ambientim, para 1 viti e gjysëm ishte ndryshe, tani ka më shumë profesionista. Kualifikimi në Europian nuk ishte vetëm fat, por shumë punë. Kemi një udhëtim shumë të rëndësishëm në Europian. Shpresoj që ndeshjen tjetër të kem mundësi të punoj.

Ndeshja nuk vajti siç e kishim përgatitur. Kili ka lojtarë të mirë. Tani euforia e kualifikimit në Europian ka mbaruar, duhet të stërvitem që në ndeshjen e ardhshme të japim edhe më shumë. Nuk ishte çështje emocionesh, nuk na doli loja. Tani të stërvitemi, të shohim rastin tjetër me ndeshjen në Suedi.

Besoj se e kishim përgatitur ndryshe ndeshjen dhe stili i Kilit që beri presion lart, na pengoi pak se kishim distancë nga mesfushorët. Por besoj se trajneri do na tregojë video ne ditët në vijim. Duhet të përmirësohemi, të lëmë llafet dhe asgjë tjetër”,- u shpreh 27-vjeçari. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!