Nga Ema Shazivari
Kurban Bajrami nuk i gjen të gjithë duke festuar. Shumë qytetarë janë të detyruara që në këtë ditë të shenjtë, të qëndrojnë në oborrin e spitalit 6 katësh ne QSUT.
Ka nga ata që për shkak të pamundësisë financiare apo dhe merakut e kalojnë natën në makinë, në oborrin e spitalit.
Arlinda Kiptiu, ka të shtruar babanë në gjendje të rëndë. Ka ardhur nga Italia për t’i qëndruar pranë.
E revoltuar thotë se nuk ka marrë asnjë sqarimi mbi gjendjen shëndetësore të babait.
“Unë kam ardhur nga Italia, ku mund ta di unë nëse është gjallë apo ka vdekur. Më thonë është në Reanimacion, por nuk më japin asnjë informacion. Këtu janë gjithë këto familjarë, ka shtet këtu apo jo. Gjithë natën kam fjetur në makinë, vetëm jam e sëmurë, invalidë e grupit të parë. Votën e duan, por duhet t’i përgjigjen të sëmurit, të dalin të shohin nënat, baballarët, fëmijët e vegjël, çfarë bëhet këtu”, thotë ajo.
Fatmir Hoxha, ka 10 ditë që nuk e ka parë nënën e tij të sëmurë. Është i revoltuar për trajtimin nga stafi i këtij spitali.
“Çfarë trajtimi është këtu. A ka trajtim njerëzor apo kafshëror…Këto duhen denoncuar të gjithë duke filluar nga Edi Rama. Pacientët brenda…këtu nuk të lë askush as të dërgosh një freskuese”, thotë ai.
Teksa dëgjon revoltën e familjarëve, një infermiere përpiqet ti sqarojë, por duket se e ka të pamundur. Familjarët janë të nervozuar.
“Po i shërbehet. Jemi çdo sekondë pranë tyre”, thotë ajo.
Pas 30 minutash nga kaosi në oborrin e spitalit, një koordinatore përpiqet të qetësojë situatën.
Dëgjon problemet e qytetarëve, dhe nis ti lejojë të futen brenda për të parë të afërmit e tyre.
Që prej nisjes së pandemisë, në spitale nuk lejohen vizitat e familjarëve. Mund të futet vetëm një prej tyre, dhe kjo pas miratimit të drejtorisë së spitalit./abcnews.al/