“Të inkriminohet Trump”, thirrja nga kongresmeni i parë republikan

schedule19:37 - 19 Maj, 2019

schedule 19:37 - 19 Maj, 2019

Një kongresmen nga radhët e republikanëve në Shtetet e Bashkuara ka deklaruar se presidenti Donald Trump duhet të inkriminohet. Bëhet fjalë për rastin e parë kur kreu i shtetit akuzohet nga një prej ligjvënësve të tij për veprime të dyshimta.

Justin Amash është bërë kongresmeni i parë republikan që ka bërë thirrje për inkriminimin e presidentit Donald Trump. Ai deklaroi se Trump ka ndërmarrë një seri veprimesh specifike që i hapin rrugën inkriminimit.

Amash akuzoi edhe prokurorin e përgjithshëm William Barr për keqinformim të publikut mbi raportin e hetuesit të posaçëm Robert Mueller mbi ndërhyrjen ruse.

Raporti i Mueller nuk konstatonte lidhje të Trump me palën ruse për të ndikuar në zgjedhjet e 2016-s, por 10 raste kur presidenti ishte përpjekur të pengonte hetimet. Zoti Amash, përfaqësues i Miçiganit, i bëri deklaratat në Twitter.

Ai u tha ndjekësve të tij se vetëm pak anëtarë të Kongresit e kanë lexuar raportin e Mueller. Dokumenti me 448 faqe i publikuar në Kongres përmban pjesë të shumta të redaktuara dhe një thirrje për publikimin e plotë të tij është bërë nga Dhoma e Përfaqësuesve, e kontrolluar nga demokratët.

Sidoqoftë, lideri i shumicës në Dhomën e Përfaqësuesve dhe kryetarja e saj Nancy Pelosi janë shprehur kundër inkriminimit. Në një prononcim për “Uashington Post”, Pelosi tha se të inkriminosh presidentin Trump thjesht “nuk ia vlen”./ABC News Albania 24/7