Prefekti i Kukësit, Zenel Kuçana u foli ashpër drejtuesve të institucioneve kryesore, të cilët nuk mbikqyrin të infektuarit apo ata që janë në pritje të përgjigjes të tamponit. Sipas tij ata dalin në rrugë.
“Mjeku i familjes, policia nuk i kanë në mbikqyrje të plotë, pasi ka raste që këta dalin nga familjet e tyre dhe shkojnë në pazar, tek spitali, tek marketi. Ka një kod penal, këta janë si një njeri që del me automatik në pazar dhe vret njerëz kjo s’vret menjëherë po i vret avash pas një jave a dy javësh.”
Kuçana ndali dhe tek ceremonitë martesore dhe mortore.
“Vazhdojnë të bëhen dasma dhe në qytet, ku restorante janë të mëdha me 200 vetë. Edhe vakitë duhet të minimizohen. Në qytet ende ka banorë pa maska. Nuk kanë ndërgjegjësuar qytetarët që duhet të ruajnë veten. Nuk vini gjoba. Që nga policia e shtetit, ajo bashkiake, inspektoriati shtetëror shëndetësor.”
Prefekti i Kukësit u kërkoi zyrtarëve të punojnë me seriozitete. në të kundër do të mbajnë përgjegjësi.
“Keni të bëni me jetën e njerëzve. Nëse vazhdoni me këtë impakt do jeni përgjegjës kundrejt qytetarëve për mosmarrjen e masave të duhura për parandalimin e infektimit. Ju them të jeni korrekt dhe serioz në punë. Nuk mund të vazhdohet më me këtë rritëm.”
Kamera e Abc News kreu një vëzhgim në rrugët e Kukësit, dhe pjesa më e madhe e qytetarëve ecnin të shkujdesur në grupe dhe pa maska. /abcnews.al/