Të humbur prej ditës së djeshme dy turistë në Valbonë, ishin nisur në drejtim të Thethit

schedule10:46 - 4 Qershor, 2021

schedule 10:46 - 4 Qershor, 2021

Dy turistë në Valbonë rezultojnë të humbur që prej ditës së djeshme. Mësohet se ata ishin nisur në drejtim të Thethit, por në disa zona bora ende nuk është shkrirë dhe shtegu herë pas here bëhet i pakalueshëm.

Dy të humburve që besohet se janë nga 35 vjeç, u ka rënë bateria e telefonëve dhe kanë humbur kontaktet me policinë.

Kërkimet kanë nisur që të mëngjesin e së enjtes dhe vijojnë ende. Deri më tani, nuk ka informacione nga rojet mjedisore në Theth nëse janë parë dy turistët dhe as nga ana e Valbonës nuk ka informacion.

Mendohet se ata kanë humbur diku nga Rrogami deri në Qafë të Valbonës. Ndërkohë, pritet që zona ku dyshohet të kenë humbur turistët të kontrollohet nga ajri me helikopter.

NJOFTIMI I POLICISË

“Më datë 03.06.2021, në mbrëmje, në Valbonë, dy turistë, nga Suedia dhe Rusia, kanë humbur rrugën duke eksploruar territorin nga Valbona në drejtim të Thethit. Menjëherë janë angazhuar Forcat e Policisë së Tropojës për gjetjen e tyre. Për shkak të terrenit të vështirë vazhdojnë kërkimet nga punonjës policie që po kontrollojnë territorin me këmbë.

Kërkimet intensive nga shërbimet e Policisë kanë vazhduar që prej mbrëmjes së djeshme, kur turistët kanë shkëputur kontaktet për shkak të fikjes së celularëve nga rënia e baterisë. Punonjësve të Policisë që janë në kërkim të turistëve i janë bashkuar edhe alpinistët e vendit.” /abcnews.al/