Kryetari i Shoqatës së Restoranteve dhe Bujtinave, Kujtim Dervishi në një intervistë në “Money Report” në ABC News, foli për rëndësinë e “Paketës së Maleve”, duke shpjeguar dhe domosdoshmërinë e saj.
Gjatë intervistës, Dervishi u shpreh optimist sa i përket turizmit, duke theksuar se është përmirësuar shumë edhe infrastruktura, ndërsa theksoi se bujtinat kanë zënë një vend të veçantë.
“Paketa e Maleve” është një domosdoshmëri, por ka edhe disa problematike. Si grupe interesi duhet të ishim të përfshirë për të diskutuar, pasi janë edhe disa gjëra të paqarta. Pasi duhet të ketë njëfarë shpjegimi. Jam shumë dakord që të thjeshtohen procedurat e lejeve, por taksat dhe tatimet mund të krijojnë njëfarë pakënaqësie edhe për ato biznese që kanë vite. Investitorët që do të vijnë, apo nga emigrimi duan disa favore dhe bashkitë dhe pushteti vendor do të kenë detyrën kryesore sa i përket pronave apo thjeshtësimit të procedurave. Emigrantët i kanë kthyer sytë nga Shqipëria edhe falë taksave të ulëta dhe mjaft investitorë janë bërë shumë të ndjeshëm. Bujtinat besoj se janë shumë të kërkuara. Shqipëria vizitohet shumë për ushqimin, mikpritjen dhe produktet. Por edhe shkollat profesionale kanë marrë shumë zhvillim, por duhet ende shumë punë. Këtu tek ne janë rritur rrogat, cilësia e shërbimit. Kohët e fundit në Shqipëri ka pasur, rritje të pagave”, tha mes të tjerash ai.
Po ashtu u shpreh se veriu i Shqipërisë i ka kushtuar rëndësi edhe turizmit malor dhe ka marrë goxha zhvillim, ndërsa më tej shtoi se duhet më tepër investime dhe mbështetje.
“Më shumë bujtina i kemi në Lezhë, Pukë, Thethi, Valbona, por ka edhe jugu i Shqipërisë”, tha mes të tjerash Dervishi.
/abcnews.al/