Është koha e sarmave. Në Gjirokastër ato i përgatisin me gjethet e rrushit ose me lulet e kungullit.
Qifqi, byrek me mish dashi apo shapkat janë disa nga gatimet tradicionale që Sedat Ismailati i përgatit prej vitesh.
Recetat e tyre i ka të trashëguara dhe përbërësit sekret nuk i tregon. Për t’ju dhënë shije gatimeve, kujdeset që të gjitha perimet dhe erëzat t’i kultivojë vetë në kopshtin pranë biznesit të tij.
“Jo se ka ndonjë gjë të veçantë, por e veçanta në Libohovë, është që janë të gjitha gjërat bio. Gjërat e tjera, ka edhe ndonjë diçka sekrete që ne nuk mund ta themi”, u shpreh ai.
Ndër klientët, të huajt janë ata që shfaqin më tepër interes për traditën shqiptare në kulinari, madje disa prej tyre kanë lexuar më herët në internet dhe shkojnë atje me kërkesa konkrete.
“Të huajt kërkojnë vetëm ushqim tradicional në vendin tonë”, theksoi ai.
Sedati e ushtron me dashuri profesionin e tij, por tregon se çdo ditë është sfiduese.
Zanatin e ka nisur afro 4 dekada më parë. Për shume vite ka punuar në lokalet e të tjerëve ndërsa sot ka biznesin e tij familjar.
Edhe në Gjirokastër problem përbën mungesa e fuqisë punëtorë. Para se të konsiderojnë ofertat për pune jashtë kufijve, Sedati u bën thirrje të rinjve të qëndrojnë në vendin e tyre e të zgjedhin të ushtrojnë zanatet, vlera e të cilave nuk ka për të humbur kurrë./abcnews.al