Të hënën PS nis shkarkimin e Metës, depoziton në Kuvend 55 firma

schedule13:35 - 15 Qershor, 2019

schedule 13:35 - 15 Qershor, 2019

Partia Socialiste do të depozitojë të hënën kërkesën për shkarkimin e presidentit të republikës me argumentin se ka shkelur Kushtetutën duke anulluar datën e zgjedhjeve. Pasi parlamenti të ndjekë procedurat e tij deri në votimin e shkarkimit të kryetarit të shtetit do të jetë Gjykata Kushtetuese që do të thotë fjalën e fundit.

Të hënën do të nisë procedura për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Lajmin e dha kryetari i komisionit të ligjeve Ulsi Manja gjatë një takimit me banorë të njësisë 11 në Tiranë.

“Ditën e hënë futet në furrë. Ka qenë në ngrirje, fillon dhe shkrihet nga e hëna”.

Partia Socialiste do të depozitojë në Kuvend kërkesën me firmat e deputetëve. Ndonëse mjaftojnë 35, mazhorancës i janë bashkuar edhe deputetë të opozitës parlamentare duke e cuar në 55 numrin e firmave të mbledhura.

Ky është hapi i parë që parashikon Rregullorja e Kuvendit, neni 112 I të cilës detyron që : “Jo më pak se një e katërta e të gjithë anëtarëve të Kuvendit mund të propozojë shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës”.

Kërkesa do të shqyrtohet në Komisionin e Ligjeve nga ku pritet të shihet nëse do të merret vendim për ngritjen e një komisioni hetimor apo jo.

Brenda 15 ditëve raporti i komisionit të Ligjeve paraqitet për votim  në Kuvendin e Shqipërisë bashkëngjitur me propozimin ose jo të ngritjes së komisionit hetimor. Pasi të përfudojnë të gjitha këto procedura konferenca kryetarëve përcakton datën e votimit në Kuvend të kërkesës për shkarkim të Presidentit të Republikës dhe kohën e debatit.

Në rast se kërkohet nga Presidenti i Republikës për t’u dëgjuar në seancë plenare, Kuvendi është i detyruar ta dëgjojë atë. Kuvendi vendos për shkarkimin e Presidentit të Republikës me jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij dhe me votim të fshehtë.

Vendimi për shkarkimin e presidentit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese. Është kjo gjykatë që hedh firmën e fundit mbi qëndrimin ose jo në detyrë të presidentit Ilir Meta. / ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!